e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Luftëtari, Ramadani: Nuk ndalemi Luftëtari, Ramadani: Nuk ndalemi

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Luftëtari, Ramadani: Nuk ndalemi Luftëtari, Ramadani: Nuk ndalemi

Pas analizës së ndeshjes së fundit ndaj Butrintit, gjirokastritët nga dje kanë nisur përgatitjet në kuadër të javës anti-Elbasan.

LuftetariTë prirë për t'i shkuar deri në fund misionit Superligë, stafi teknik dhe lojtarët për 20 minuta para seancës stërvitore të ditës së djeshme janë ndalur te post-takimi me Butrintin. Sipas Behar Ramadanit, autori i golit të vetëm me vlerën e tri pikëve, është koha që rëndësi kanë tri pikët, jo loja.

"Çdo përballje ka specifikën e saj dhe si e tillë duhet përgatitur me kujdes. Nëse ndaj Butrintit fituam minimalisht, kjo nuk do të thotë se Luftëtari s'është ai që të gjithë duan në Gjirokastër. Një gol mjafton për të shkuar te fitorja, gjithnjë nëse nuk pëson. Realizova golin e parë për fanellën e Luftëtarit dhe ndihem i lumtur, pasi fituam", ka deklaruar mesfushori Ramadani për "Panorama Sport".

Ndërkohë, java e 16- të për Luftëtarin rezervon transfertën e radhës, atë me Elbasanin. Të ndërgjegjshëm se në letër Elbasani duket ekip i lehtë, por jo i tillë në fushë, futbollistët bluzinj qëndrojnë me "këmbë në tokë". Ramadani thekson se verdheblutë meritojnë vlerësim maksimal.

"Elbasani duhet respektuar maksimalisht. Na pret një ndeshje ferri, pasi më shumë se kurrë vendësve u duhet fitorja. Megjithatë, ne do të bëjmë punën tonë, do të luftojmë për tri pikët e radhës", theksoi Ramadani, i cili në fund nuk harroi të bënte edhe një dedikim special pas golit që shënoi ndaj Butrintit. "Ia dedikoj të fejuarës sime nga Gjirokastra, shpresoj të shënoj sërish në ndeshjet e tjera", ka përfunduar shkodrani, i cili luan sezonin e tij të katërt në radhët e bluzinjve.

Mesfushori ka qenë pjesë e Luftëtarit edhe në sezonin 2012-2013, kur gjirokastritët ishin pjesë e Kategorisë Superiore, por zbritën një vit më pas nga elita. Ndërkohë, nga ana e klubit bluzi, konfirmohet se në transfertën delikate ndaj Elbasanit, skuadra nuk do të ketë asnjë mungesë. Në këto kushte, trajneri Mustafa Hysi do të ketë luksin e përzgjedhjes. Në Gjirokastër janë të qetë, pasi ndeshja do të luhet në kushte perfekte, pikërisht në stadiumin më të mirë në vend, "Elbasan Arena".

Përgatiti: TOMORR SHEHU