e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Luciano Moggi, sot perballe fansave shqiptare

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Luciano Moggi, sot perballe fansave shqiptare

Ish-drejtori i Përgjithshëm i ekipeve italiane të futbollit, Juventusit, Napolit, Romës, Torinos, Luciano Moggi, do të jetë sot në Tiranë për të promovuar librin e tij “Topi është imi”. Sot në orën 17.00 shtëpia botuese “Saras” ju fton në sallën Black Box të Akademisë së Arteve për t’u bërë pjesë e një bashkëbisedimi me shpirtin e futbollit italian

Luciano Moggi, një nga personazhet më interesante të futbollit italian do të jetë sot në Tiranë për të promovuar librin “Topi është imi” i cili ka vetëm pak kohë që ka dalë në treg nga shtëpia botuese “Saras” nën përkthimin e Mustafa Nanos. Në orën 17.00 në sallën Black Box të Akademisë së Arteve, shtëpia botuese Saras fton të gjithë lexuesit e këtij libri, dhe fansat e Moggit t’i bashkohen një rrëfimi aspak të zakontë, mbi jetën dhe futbollin e një personazhi kaq të diskutuar të viteve të fundit. Vetë Moggi është shprehur i lumtur që libri i tij është përkthyer në gjuhën shqipe, një vend të cilin e ka njohur gjithnjë për historinë që mbart. “Topi është imi”, një libër të cilin ai e ka shkruar nën kujdesin e Andrea Ligabue-n është më shumë se një rrëfim i një jete. Është gjithçka që ai nuk ka mundur t’i thotë ndërsa polemizohej në shtyp mbi futbollin, blerjet, dhomat e zhveshjes. “Në këtë libër flas për jetën time nëpërmjet protagonistëve të futbollit botëror, pa lënë pas dore persona më pak të njohur që po njësoj kanë mundur të lënë shenjë në aventurën time njerëzore e profesionale. Në skenë nxjerr detaje negociatash që, në kohën e vet, janë kryer pas perdes. Filli që i përshkon këto kujtime është ironia, pa të cilën jeta do të ishte ndryshe”, shkruan Moggi në parathënie. Në fakt, është interesante të shohësh rrugëtimin e këtij njeriu drejt suksesit.

“Kam qenë me fat në këtë jetë, edhe pse, siç më thoshte im atë, fati nuk të vjen kurrë pa e kërkuar. Është një këshillë që e kam mbajtur gjithnjë vëth në vesh. Dhe rezultatet e shkëlqyera që kam arritur kanë bërë që të mos më shqitet ndjesia se Dikush atje lart më ka treguar udhën që duhej ndjekur. Ka qenë një ndjesi fantastike. Ua uroj të gjithëve, sidomos të rinjve, që ta provojnë!”, shkruan Moggi në parathënien e librit. Një jetë për të cilën ai nuk ka asnjë gjë për t’u penduar teksa kthen kohën pas, është një shembull për të gjithë ata që duan të arrijnë diku. Thjesht duke parë larg, dhe pa u kthyer pas sa herë rrugët të duken të pamundura. “Çfarë ka ikur, ka ikur, s’ke ç’i bën, por sikur të mos ishte kështu, do të ishte një gjë shumë e bukur që ta rishihnim filmin e jetës sonë. Do të ishte e bukur edhe për një si unë, të cilit ende i pëlqen të flasë për projektet e veta të ardhshme, s’ka gjë se është pothuaj shtatëdhjetë e shtatë vjeç.

Çfarë ka ikur prej jetës sime është e imja, sidoqoftë. Është ca më shumë e tillë, kur e shoh të shkuarën time të stërpikur nga suksese të shumta, përvoja magjepsëse e personazhe të pabesueshme, që secili prej jush do të kishte dashur t’i njihte personalisht; e prandaj janë të shumtë ata që më kërkojnë t’u tregoj për ta”, thotë Moggi. Gjithë momentet e rëndësishme që kanë shoqëruar karrierën e tij në futbollin italian janë në këtë libër, që mund të gjendet në të gjitha libraritë nga botimet “Saras”. Një libër që mund ta lexojnë jo vetëm ata që janë të çmendur pas futbollit, por të gjithë ata që duan të shohin modelin e një jete plot sukses. Të tjerat ato që s’ka mundur t’i thotë në këtë libër, mendimet mbi atë çfarë ndodh sot në futbollin botëror, apo si e sheh futbollin shqiptar legjenda italiane do t’i tregojë sot në orën 17.00 në sallën Blax Bock të Akademisë së Arteve. Ju presim!

 
O unë, o Maradona

Luciano Moggi*

Ka ndonjë gjë të pathënë mbi Napolin “tim”? Si zor. Por katër vitet e atjeshme kanë qenë të paharrueshme. Kam jetuar në atë periudhë në një gjeratore pasioni, polemikash, gëzimesh e zhgënjimesh që janë të papërsëritshme.

Emocionet nuk kishin të sosur dhe nuk na mbanin të qetë. Gjendja shpirtërore e skuadrës apo edhe e qytetit, ndryshonte nga dita në ditë, madje nga ora në orë. Sepse Napoli jeton për Napolin. Në kohë të mirë e në kohë të keqe. Por duhet t’ju them se unë, sidomos nga distanca e viteve që kanë kaluar, kujtoj vetëm kohët e mira të asaj përvoje.

Momenti i lamtumirës qe, sidoqoftë, i hidhur. Unë ika, ngaqë s’kisha se ç’të bëja më dhe faji ishte i Diego Armando Maradona-s, lojtarit më të fortë të të gjitha kohërave. Ishte e pamundur që ai të administrohej. Me të kam pasur një marrëdhënie të shkëlqyer, por edhe për mua ishte e pamundur. E kam shprehur mendimin tim në prani të kampionit argjentinas e të Presidentit Ferlaino: “Kështu nuk shkohet asgjëkund. Maradona-n nuk mund ta largojmë. Po ta bënim, do të shpërthente revolucioni e unë do të shpallesha një Judë për gjithë jetën. E prandaj, veç një gjë më mbetet të bëj. Të jap dorëheqjen”.

Nuk i lashë kohë Ferlaino-s që ta thosh të vetën. Zgjedhjen e kisha bërë, tanimë. Askush nuk ish në gjendje të më bënte ta rishihja atë vendim, që unë e kisha marrë pas të vetmit sherr që kam bërë me Diego-n në jetën time. E kujtoj atë moment mu sikur të ketë ndodhur dje. Ishte 7 nëntor 1990, dhe ne ishim në Moskë për të luajtur me Spartak-un ndeshjen e kthimit të turit të dytë në Champions League. Ndeshja në “San Paolo” kish përfunduar me rezultatin 0-0. Për t’u kualifikuar, na duhej fitorja se s’bën. Por ky është epilogu i ngjarjes.

Gjithçka kish nisur dy ditë më parë. Skuadra bëri një stërvitje të lehtë në orët e mëngjesit të së hënës, por pa Maradona-n. Ky i fundit nuk erdhi. Në mbrëmje do të duhej të niseshim për në Moskë. Herë të tjera kisha dërguar mjekun në shtëpinë e Maradona-s, por atë ditë shkova vetë. Maradona ishte mbyllur në një dhomë e as që doli të fliste me mua. Fola me të shoqen, Claudia Villafane-n, dhe me avokatin e tij, Guillermo Coppola-n. “Mos e merrni mundimin të vini, si zakonisht, me avionin privat, sepse këtë radhë Diego nuk do të jetë në formacion. Do të jetë i detyruar ta shohë ndeshjen nga tribuna. Do të luajë veç nëse udhëton me skuadrën.” E kisha bërë mendjen top: këtë herë argjentinasit nuk do t’i dilte e tija.

Maradona erdhi në Rusi, sidoqoftë, me një avion privat, të nesërmen. Nuk ishte befasi për mua. Erdhi i sigurt se do të luante. Por e pa veten në stolin e rezervave. Nuk e çova që ta shihte ndeshjen nga shkallët e stadiumit, ngaqë m’u duk një ndëshkim më i rëndë ta mbaja në stol. Atë mbrëmje binte borë dhe bënte shumë ftohtë, e prandaj ishte qejf ta shihje ndeshjen nga tribuna. Maradona hyri në lojë në minutën e 64-t, por nuk bëri ndonjë gjë të magjishme. Rezultati i ndeshjes mbeti i bardhë, 0-0, e pastaj u skualifikuam në sajë të penalltive (Diego e shënoi penalltinë e vet). Unë dhashë dorëheqjen edhe ngaqë kisha zënë të isha i frikësuar se mund t’i ndodhte ndonjë gjë në fushën e lojës. Dhe kjo ndodhi disa muaj më vonë: u gjet pozitiv gjatë kontrollit antidoping, në fund të ndeshjes Napoli-Bari të 17 marsit 1991, që u mbyll 1-0 për ne. Ishte e pashmangshme. Pati zëra që aluduan me ligësi se isha unë që kisha komplotuar për të arritur deri tek analiza e urinës së tij, në të cilën u gjetën gjurmë të kokainës. Është një rrenë. Nuk jam as tradhtar e as burracak. Nuk do t’i bëja kurrë një të keqe Napolit apo Diego-s.

Për sa më takon, duke filluar nga nëntori (e deri më 1 prill 1991), Ferlaino më mbajti në klub në pozicionin e një nëpunësi dosido. Mua, që kisha komanduar për vite të tëra shoqërinë, m’u desh të ndiqja urdhrat që më jepeshin. Nuk është se e bëra veten. Dy javë pas ndeshjes në Moskë, Napoli do të luante në Milano. I thashë Ferlaino-s, se “kisha një punë urgjente në Torino”, mirëpo e vërteta ishte pak ndryshe. Dy ditë më parë kisha folur në telefon me Presidentin Gian Mauro Borsano, dhe ishim marrë vesh që të drejtoja Torinon e tij gjatë sezonit të ardhshëm. E kështu, me të mbërritur në Milano me skuadrën, ia mbatha drejt e në Torino. Nuk kisha punë tjetër veçse të hidhja firmën mbi kontratën që më lidhte sërish me shoqërinë “granata”.

Gjatë këtyre viteve të fundit nuk ka mbetur njeri pa më pyetur nëse e dija që Maradona drogohej. Tani, unë nuk jetoja në Hënë. Jetoja në Napoli. E prandaj, zërat lidhur me drogën na vinin në vesh edhe ne drejtuesve, por nuk ishim assesi të sigurt, ngaqë Maradona, kur hynte në fushë, ngjante me çdo gjë, por jo me një toksiko-dipendent. Magjitë e tij do të mbeten përgjithnjë në historinë e futbollit. Madje, po ju them edhe një gjë tjetër. Sikur të kish bërë jetën e shëndetshme të një sportisti, do të kish luajtur futboll deri në moshën pesëdhjetë vjeç. E nuk është se këtë pohim po e lëshoj kuturú. Jam një qind për qind i bindur që do të ishte kështu.

Në krye të herës, administrimi i Maradona-s nuk ishte një punë e lehtë. Por nuk dukej as e pamundur. Më pas, ai u bë me hënëz dhe ky avaz ishte për ditë. Netëve nuk shkonte kurrë në shtrat dhe ia fuste gjumit në mëngjes, për t’u zgjuar pasditeve vonë. Dhe nuk guxonte njeri ta zgjonte. As e shoqja nuk mund ta bënte këtë. Ishte kjo e fundit, Coppola dhe Fernando Signorini, instruktori personal i Maradona-s në planin atletik, që na bënin një telefonatë dhjetë minuta para se të fillonte stërvitja dhe na thoshin se “Diego nuk ndihej mirë”. Ky ishte justifikimi i përhershëm. Një ditë prej ditësh – ishte e hënë, e pas 48 orësh do të luanim në Champions League – na gjetën një justifikim tjetër: “Do të rrijë në shtëpi, sepse ka ditëlindjen. Dhe jeni të gjithë të ftuar për të festuar tok me të”.

Shkuam. Ditëlindja festohej në një restorant dhe kaluam një mbrëmje të shkëlqyer. Në orën 23:00 u dhashë të gjithëve urdhër që të shkonin të shtriheshin. Por, siç ndodhte zakonisht, ishte e pamundur që të çoje Diego-n në shtrat në atë orë. E lamë të vazhdonte, ngaqë më premtoi se të nesërmen në mëngjes do të paraqitej në stërvitje. Nuk u paraqit. Na erdhi e njëjta telefonatë, por këtë herë Diego po tregohej më hileqar sesa normalisht. I thashë Coppola-s se, nëse Maradona nuk vinte në stërvitje, të nesërmen nuk do të luante. “Direttore, rri i qetë! Diego më ka thënë që e do të hapur portën e Soccavo-s (qendra sportive ku bënte stërvitje Napoli prej vitit 1977; në vitin 2004 u mbyll. M. N.), ngaqë do të vijë nga ora tre e natës për të bërë stërvitje.” Mendoi se ma hodhi. Unë porosita një prej bashkëpunëtorëve që të shkonte në qendrën sportive e të priste deri sa të vinte Maradona. Kuptohet, Maradona nuk e prishi gjumin. E bukura ish se në mes të natës më mori në telefon Coppola, e më tha se e kishin gjetur të kyçur qendrën sportive. U shtira sikur e hëngra rrengun. Të nesërmen, pak para ndeshjes, hyra në dhomat e zhveshjes dhe pashë Maradona-n buzagaz, që kish veshur mbathjet e getat. Nuk e tora gjatë. “Diego, ti në këtë ndeshje nuk do të luash!”, i thashë. Kaq. Ai e kish kuptuar se e kish bërë baltë. Nuk hapi gojë. U rivesh dhe zuri të ngjiste shkallët që të çonin në shkallët e tribunës, ku uleshin personalitetet.

Në Rusi, siç thashë, u zumë. Madje, keq. Por vazhdova ta konsideroja Maradona-n një mik. Është shumë zemërgjerë. Është e pamundur të mos e duash atë njeri. Jemi ritakuar disa herë më pas. Hera e fundit ka qenë në Dubai, ku më tha: “Direttore, sikur t’jua kisha vënë veshin, aventura ime në Napoli do të kish përfunduar ndryshe”. Por çfarë është bërë, nuk zhbëhet më. Mua më kanë mbetur të pashlyeshme në kujtesë mrekullitë që ai bënte në fushë dhe pasioni i tij për futbollin. E kam parë të bëjë gjëra të pabesueshme edhe në orët e stërvitjes. Kur intervali stërvitor bazohej te teknika, gjithçka ishte një spektakël: mbante me këmbë çdo gjë që i dilte përpara, një portokall, një shishe plastike, një top tenisi. Ia dilte të na linte pa mend në të gjitha rastet. Një gjë ishte e sigurt: me topin bënte çfarë ia kish ënda. E paradoksalisht, kur vinte të stërvitej, nuk kish burrë nëne ta bënte që të kthehej në dhomat e zhveshjes. Me topin në këmbë, Diego shndërrohej në një fëmijë. Dukej qartë se ish i lumtur. Shumë i lumtur. E në ndryshim nga ajo që mund të mendohej, e kish shumë të lartë pragun e dhembjes e të sakrificës. Luante, edhe pse mund të ishte i lënduar. Në këto raste ishte e kotë të përpiqeshe t’i ktheje mendjen.

Maradona është edhe sot e kësaj dite mbret i Napolit. Mendoj se nuk ka për të dalë ndonjë njeri që ta shfronësojë. Sa për të bërë një ilustrim, Marek Hamsik është një idhull nën Vezuv, por mbetet vite dritë larg asaj që Maradona përfaqëson për napoletanët. Fytyra e tij është ende e vizatuar në shumë mure të qytetit. Dhe me ato vizatime nuk bëhet shaka. Askush nuk bën shkarravina mbi to.

Edhe shokët e skuadrës ishin të marrosur pas tij dhe kjo nuk ndodhte thjesht ngaqë ai ish në gjendje t’i fitonte ndeshjet edhe i vetëm fare. Një ditë i ra në vesh rroga që merrte portieri Giuseppe Taglialatela. Sipas tij, kjo rrogë ishte e vogël. E kështu zuri të ushtronte presion mbi mua deri sa ma mbushi mendjen që t’ia rrisja. Madje, ia dyfishova. Nga 60 milionë lireta që merrte për sezon, ia bëra 120 milionë.

Kur kish ditëlindjen, organizonte darka të mëdha dhe i ftonte të gjithë, stafin teknik, magazinierët, masazhatorët etj. Dhe drejtuesit e klubit, kuptohet. Edhe në ato rrethana demonstronte të gjithë zemërgjerësinë e vet. Nuk pranonte dhurata. Ishte ai që ua bënte të tjerëve, s’ka gjë se ditëlindja ishte e tij. Në jetën time nuk më kanë zënë sytë asnjëherë një gjë të tillë.

Lojtarëve të Napolit, me të mbërritur atje, u bëra të qartë një gjë. I mblodha në mes të fushës dhe u shpreha një koncept timin. Vetëm një. “Nuk dua të dëgjoj kurrë, dhe kur them ‘kurrë’ dua të them ‘kurrë’, frazën se ‘e bëra këtë gjë, ngaqë e ka bërë edhe Maradona’. Nëse dikush ia lejon vetes të më thotë këtë gjë, ia tregoj unë qejfin pastaj. Dhe ma mbani vëth në vesh këtë që sapo u thashë, të paktën për aq kohë sa unë do të jem në Napoli.”

Nuk kisha si t’ia bëja, ndryshe do të mbretëronte rrëmuja dhe punët e skuadrës do t’i merrte lumi. Të gjithë ranë në brazdë. Me përjashtim të një djali të ri, një djali shumë të zotë në të vërtetë, që i tha mendja se mund të ecte në gjurmët e Diego-s. Por jo në fushën e lojës. Jashtë fushës. Fola me të atin, dhe ish ky që më dha një dorë për ta futur edhe këtë në brazdë.

 
Parmigiana e Del Piero-s

Del Piero-s i dua të mirën. Pak vetë e dinë që isha unë ai që e rimora me titull të plotë te Juventusi. Ai i përkiste përgjysmë Parmës. Për dreq, ishte vetë Juve që ia kishte shitur përgjysmë Parmës, dhe kjo ishte gjendja kur unë u bëra drejtues i bardhezinjve. Ishte vera e vitit 1994 dhe Del Piero kish debutuar tanimë në Serinë A, nën drejtimin e Giovanni Trapattoni-t. Madje, kish shënuar dhe golin e tij të parë (më 19 shtator 1993, në ndeshjen Juventus-Reggiana që përfundoi 4-0). E dija që Alex ishte një kampion dhe e vetmja gjë që Juventusi nuk duhej t’ia lejonte vetes ishte ta lëshonte atë apo qoftë dhe gjysmën e tij. Ishte e vërtetë që në atë kohë ne kishim edhe një farë Roberto Baggio (që në fund të sezonit u la të ikte), por unë isha i sigurt se Del Piero do ta gjente, sidoqoftë, vendin e vet në skuadër.

Për t’i dhënë zgjidhje kësaj çështjeje delikate, i hipa avionit dhe bëra një “blitz” në New York. Në SHBA po zhvillohej Kampionati Botëror i Futbollit. Kombëtaren e drejtonte Arrigho Sacchi dhe ai kish grumbulluar edhe juventinin Dino Baggio, të cilin unë doja ta bëja pjesë të pazarit. Në fillim fola me Dino Baggio-n, pastaj me Calisto Tanzi-n e me Giambattista Pastorello-n, respektivisht President dhe drejtor sportiv i Parmës. Që të dy këta të fundit ishin në New York, gjithashtu.

Hoqa pak, por ia dola të arrija marrëveshjen me shoqërinë emiliane. U dhashë Dino Baggio-n dhe mora gjysmën e mbetur të Del Piero-s. Mund të shihej si një bixhoz, si një lojë e guximshme, ngaqë i dyti ishte thjesht një i ri që premtonte, ndërsa i pari ishte një lojtar i plotë, i bërë. Jo më kot ishte me kombëtaren, ndonëse për mua, dhe këtu duhet të jem i sinqertë, Dino Baggio si lojtar ishte një “zero me xhufkë”. E me siguri, ka qenë dhe kjo ide e imja mbi të që më bënte ta mendoja këtë këmbim si gjënë e duhur. Ishte e rëndësishme të risillja në shtëpi një prej talenteve më të mëdha të historisë së futbollit. Pa diskutim një talent. Por jo një simbol a flamur. E di që tifozëve juventinë nuk u vjen mirë t’i dëgjojnë këto fjalë, por kjo është e vërteta. Simbolet nuk fitojnë thasë me pará në fund të sezonit e nuk ta marrin shpirtin me kërkesa gjatë negociatave për rinovimin e kontratës. Po ju sjell në vëmendje që Del Piero, në vitin 2000, fitonte 9 miliardë lireta në një sezon, ndërsa në vitin 2004, kjo vlerë arriti në 5 milionë e 700 mijë euro.

Kujtoj se kur ishte Capello trajner i Juves, Del Piero luante shpesh vetëm dhjetë minutat e fundit ose, nëse përfshihej në formacion qysh në fillim, zëvendësohej gjithnjë më pas. Kurrë nuk e bëri për të madhe këtë gjë. Nuk u dëgjua që nga goja e tij të dilte një ankesë a pakënaqësi. Por kur Fabio e la Juventusin, Del Piero nxori gjoksin dhe pohoi faqe botës: “Sikur të mos kishte ikur Capello, do të kisha ikur unë”. Ky qëndrim i tij më krijoi një bezdi të madhe. Ai kurrë nuk kishte demonstruar ndonjë parehati qoftë me ne drejtuesit, qoftë me trajnerët, që njëri pas tjetrit zunë ta mbanin në stol. Nuk i dëgjohej zëri në rrethana të tilla. Ne nuk e kishim të zorshme ta merrnim me mend dëshpërimin e tij; këtë gjë e lexonim qartë në fytyrën e tij në momentet kur detyrohej të linte fushën e lojës për t’u zëvendësuar nga një tjetër. Por ato që tha pasi Capello dhe unë i dhamë lamtumirën Juventusit, nuk i bëjnë nder. Kurrë nuk kam mundur ta gëlltis këtë sjellje të tijën. Mendoj, megjithatë, se aktivizimi i paktë në ndeshjet zyrtare nuk i ka bërë keq Alex-it. I ka zgjatur karrierën dhe kjo duket te fakti që, ndonëse është pothuaj dyzet vjeç, e shohim ende në fushë duke bërë atë që ka ditur gjithnjë të bëjë.

Duke iu kthyer kontratave, çdo moment kur diskutohej rinovimi, ishte një “luftë”, s’ka gjë se Alex-i duket një njeri i qetë. Por kjo vjen ngaqë ai ka ditur gjithnjë ta kurojë mirë imazhin e vet, ashtu siç ka ditur të mbrojë në mënyrë të shkëlqyer interesat e veta.

Një mijë polemika janë bërë në momentin kur Andrea Agnelli i bëri me dije asamblesë së aksionerëve që sezoni 2011-2012 do të ishte i fundit për Del Piero-n bardhezi. U bë nami atëmot. Por çfarë duhej të bënte Presidenti? Një lojtar i një skuadre të madhe, kur mbush 36-37 vjeç, duhet ta kuptojë vetë që duhet të bëjë mënjanë, e nuk ka pse të presë që këtë gjë t’ia thonë të tjerët. Juventusi është sjellë në mënyrën më korrekte të mundshme: e informoi Del Piero-n mbi planin e vet dhe i shprehu falënderimet për atë që Del Piero kishte bërë.

 
Cristiano Ronaldo më shpëtoi për një qime

Kur i kthehem atij momenti, i derdhem me nëma (fare pa të keq, kuptohet) Marcelo Salas-it. Ishte për faj të tij që nuk mund ta shtija në dorë Cristiano Ronaldo-n, një prej lojtarëve më të fortë të të gjitha kohëve, që më 2013-n mori “Topin e Artë”. Nuk dija gjë për të. Një mik, një bashkëpunëtor, të cilit i besoja në mënyrë të veçantë, më thotë një ditë prej ditësh: “Shko ta shohësh atë djalosh; është një mrekulli”. Nuk u mendova gjatë dhe shkova t’i hidhja një sy portugezit të ri. Luante me Sportingun e Lisbonës, ishte vetëm 18 vjeç, por të tralliste me gjërat që bënte në fushë. E fuste topin në xhep dhe kundërshtarëve nuk u mbetej tjetër, veçse të bënin sehir. Edhe pse fizikisht i njomë, ai ishte një bishë. Kish debutuar, tanimë, me skuadrën e të rriturve.

Ishte mjaft ta shihja një herë të vetme, gjatë një aksioni. Ishte viti 2003. Organizova me ngut një takim me drejtuesit e Sportingut dhe nuk na u desh shumë të binim në ujdi. Do të duhej të paguanim 5 milionë euro, plus Salas-in që vlente, më e pakta, 10 milionë euro. Salas kish qenë i pafat me bardhezinjtë: në dy sezone, për shkak të një problemi me gjurin, kish luajtur 32 ndeshje e kish shënuar veç katër gola.

Çmimi i Ronaldo-s ishte, sidoqoftë, shumë i lartë, kur mendoje se ai ishte një riosh. Por unë nuk kisha asnjë dyshim: është fantastik dhe nuk iki pa e marrë. E nuk është se nuk e dija që po luaja me rrezikun. Një tetëmbëdhjetëvjeçar mund të jetë një fenomen, por nuk është e thënë që të bëhet një kampion më pas. Për t’u bërë i tillë, përveç cilësive teknike, lipset truri, personaliteti, pjekuria, karakteristika këto që te një adoleshent shihen në mënyrë të mjegullt e të paqartë. Ronaldo më fitoi zemrën menjëherë. Ai donte të bëhej një lojtar i famshëm, e teksa flisnim, unë kuptova se Ronaldo ishte i gatshëm për të mos kursyer asgjë e për ta arritur këtë objektiv. Dukej edhe që ishte një djalosh me personalitet. Kështu rashë dakord me të, ndërsa për të rënë dakord edhe me Sportingun, më duhej ok i Salas-it për t’u transferuar në Lisbonë. Nuk është se më gënjente mendja që këtë ok e kisha në xhep, por, nga ana tjetër, kurrë nuk e mendoja se do të bëhej kjo gjë pengesë që unë të merrja Ronaldo-n. Mirëpo ja që doli kjo e dyta. Salas-i ishte i vendosur të mos shkonte në Portugali. Çfarë nuk bëra që ta kandisja, por nuk qe e mundur. I ofrova edhe ca pará më shumë në një kohë që edhe kontrata që i ofronte Sportingu ishte e majme. Jo, as që bëhej fjalë! Marcelo donte të rikthehej me ish-skuadrën e tij, me River Plate-in. Ashtu u bë dhe atje Salas-i përjetoi një rini të dytë për dy sezone njëri pas tjetrit. Pastaj u kthye në shtëpi, në Kili, ku u prit si një mbret dhe për katër sezone me radhë u bë një leader i padiskutueshëm i skuadrës Universidad de Chile. U ofrova portugezëve lojtarë të tjerë në vend të Salas-it, por ata më thanë ‘jo’. Donin Salas-in. Dhe kështu, pazari u prish. Ca muaj më pas u bënë të gjallë edhe njerëzit e Manchester United-it, të dërguar nga Alex Ferguson, që mbeti i magjepsur pas Ronaldo-s gjatë një ndeshjeje miqësore mes skuadrës së tij e Sportingut. Anglezët nuk e torën gjatë këtë punë. Ata ofruan 15 milionë euro dhe Ronaldo përfundoi në Manchester. Juventusi nuk ish në gjendje që ta bënte një ofertë të tillë.

Po kështu, më ka ikur nga duart edhe një thagmë tjetër. Ishte fjala për t’i dhënë Edgar Davids-in Romën, e për të marrë në këmbim De Rossi-n, Aquilani-n dhe ca pará. Ishte vera e vitit 2002. Dukej sikur pazari ishte mbyllur. Daniele ishte 19 vjeç dhe kishte filluar të luante me skuadrën e të rriturve. Për herë të parë ish aktivizuar në një pjesë të ndeshjes midis Romës e Anderlecht-it, në Champions League, më 20 tetor 2001. Ishte siç e shihni sot: plot nerv, teknik, godiste mirë me kokë dhe kish inteligjencën e një kampioni. Roma është me fat që ka pasur e që do ta ketë edhe për ca kohë, një lojtar të tillë. Ndërsa Alberto ishte 18 vjeç. Kish filluar të luante me Romën, por jo shumë. Karakteristikat e tij kryesore ishin se dinte ta përdorte topin dhe kish vizion loje. Këto cilësi ia njihja mirë, ngaqë e kisha parë shpesh të luante me të rinjtë verdhekuq. E kam thënë edhe më parë: një drejtues i mirë futbolli duhet t’i këqyrë mirë, nëpërmjet një kontakti të drejtpërdrejtë, para se t’i blejë lojtarët. Edhe pse mund të jesh direttore generale i njërit prej klubeve më të rëndësishme të botës, ti nuk bën keq të shkosh e të shohësh ndeshjet e skuadrave të të rinjve. Përkundrazi, kështu demonstron se je një profesionist i vërtetë.

Për t’u kthyer te negociatat mbi Davids-in, më duhet të them se ato dështuan për fajin tim. E tërhoqa shumë litarin, derisa e këputa. Ai këmbim do të kish mbetur si një nga punët më të mira të karrierës sime, por gjërat vajtën për dreq. Po jua shpjegoj se si. Kishim rënë dakord me Romën, që ata të merrnin Davids-in dhe ne të merrnim 10 milionë euro, plus De Rossi-n dhe Aquilani-n. Por unë nuk u kënaqa me kaq. Në këtë profesionin tonë ndodh shpesh si me lojtarët e pokerit. Isha unë që u thashë: 10 milionë euro janë një ofertë jo serioze; kjo punë mbyllet me 15. Dhe Roma, që në atë periudhë nuk është se notonte mbi pará, nuk ra dakord. Gazetat raportuan se unë kisha kërkuar në këmbim Francesco Totti-n, por kjo nuk është e vërtetë. Në vitin 2002, “il pupone” (kështu e thërrasin prej kohësh tifozët e Romës, me përkëdheli, Francesco Totti-n. M. N.) ishte një kampion, një pikë referimi për Romën. E dija që nuk do ta linin kurrë t’u ikte nga duart, e prandaj as që më vajti mendja t’ua kërkoja. E njihja atë qysh prej vitit 1993, kur u ktheva në Romë për pak kohë. Ishte aq i zoti sa, pikërisht atëmot, saktësisht më 28 mars, Vujadin Boshkov e aktivizoi për herë të parë në Serinë A. Luajti vetëm minutat e fundit të ndeshjes Brescia-Roma, që përfundoi 0-2. Sipas meje, Totti është i vetmi simbol a flamur i futbollit italian. Për t’u qëndruar besnik ngjyrave verdhekuq, ai u ka thënë ‘jo’ parave më të shumta dhe mundësisë për të fituar tituj e trofe më të shumtë sesa ato që ka fituar. Ka gjithë vlerësimin tim për këtë.

Kam provuar që të merrja edhe Antonio Cassano-n, një lojtar me të dhëna të pazakonta që nuk ish, megjithatë, në nivelin e Maradona-s e të Totti-t. Do të kisha dashur që ta shihja Cassano-n të vishte bluzën e Juventusit. Kam dëgjuar të thotë se, sikur të kish ardhur në Torino, karriera e tij do të kish rrjedhur ndryshe. Dhe ka të drejtë: te ne do të ishte bërë një kampion. Bëra një përpjekje për ta marrë në vitin 2001. Kështu, i ofrova Barit 25 miliardë lireta, por Roma u hodh me një shifër të frikshme. Ata ofruan 50 miliardë. Nuk mund të shkonim në këto nivele dhe prandaj e lamë këtë muhabet.

Ndërsa fjalët që kanë dalë mbi një përpjekje timen për të blerë David Beckham-in, janë të rreme. Beckham ka qenë një lojtar i mirë, por ka qenë gjithnjë tepër i shtrenjtë, qoftë për sa i takon rrogës që merrte, qoftë për sa i takon çmimit të blerjes. E që të jem i sinqertë, kurrë nuk e kam parë anglezin si një fenomen, që mund të ish në gjendje ta merrte një skuadër për dore. Gazetat më kanë vënë në gojë edhe frazën: “Beckham u pëlqen më shumë grave sesa mua”, por nuk e kam thënë asnjëherë këtë gjë. Kur blija një lojtar, bukuria e tij ish një gjë që s’më interesonte fare. Për mua kishin rëndësi truri dhe cilësitë teknike. Është një mufkë edhe pretendimi tjetër se unë paskam dashur të ble Ronaldinho-n. E këtu po i lejoj vetes një batutë: “Nuk kam dashur asnjëherë ta ble prej frikës se mund të kafshonte topin në fushën e lojës; me ato dhëmbë që kish …”

*Pjesë nga libri