e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Lotaria Kombetare, PS nis procedurat per ngritjen e komisionit hetimor

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Lotaria Kombetare, PS nis procedurat per ngritjen e komisionit hetimor
Partia Socialiste do të mbledhë firmat për ngritjen e komisionit të posaçëm hetimor në lidhje me procedurën e tenderit të realizuar nga qeveria shqiptare për licencën e vetme të Lotarisë Kombëtare. Sipas burimeve pranë PS-së mësohet se gjatë këtyre ditëve do të kërkohet që deputetët e opozitës të mbledhin firmat për krijimin e komisionit të posaçëm hetimor.

Ky fakt konfirmohet nga drejtuesit e grupit parlamentar të PS-së, të cilët kanë bërë të ditur se nga e hëna mund të diskutohet në detaje një nismë e tillë. Opozita ka mbledhur një sërë faktesh në lidhje me tenderin e Lotarisë, e cila iu dha firmës shtetërore austriake. Prej ditësh, opozita po punon për mbledhjen e këtyre fakteve, në mënyrë që të ketë një dosje të plotë mbi shkeljet që PS-ja pretendon. Ndërsa ende nuk është përcaktuar afati i komisionit, por nga java e ardhshme pritet të hartohet kërkesa për hetimin në fjalë. “Kuvendi ka të drejtë dhe, me kërkesë të një së katërtës së të gjithë anëtarëve të tij, është i detyruar të caktojë komision hetimi për të shqyrtuar një çështje të veçantë. Përfundimet e tyre nuk janë detyruese për gjykatat, por mund t’i njoftohen prokurorisë, e cila i vlerëson sipas procedurës ligjore. Komisionet e hetimit veprojnë sipas procedurës së parashikuar me ligj”, thuhet në nenin 77, pikat 2 dhe 3 të Kushtetutës.

Opozita dy ditë më parë në seancën parlamentare të së enjtes ka paralajmëruar hetimin e tenderit të bërë nga ana e qeverisë për Lotarinë Kombëtare. Qëndrimi më i ashpër u mbajt nga deputeti i PS-së, Taulant Balla. “I them sot Sali Berishës që edhe licencën e Lotarisë Kombëtare, për të cilën more më shumë ti para kesh në Vjenë, sesa do të marrë Ministria e Financave, ne do t’ia kthejmë shqiptarëve. ‘Austrian Lottery’, është nën hetim për korrupsion në vendin e saj, ndërsa në Shqipëri ble 100 herë më lirë licencën se sa në Austri. Pra, këtu jo vetëm që duhet hetuar, por duhet bllokuar me çdo kusht. Dua t’i drejtohem sot edhe kësaj kompanie dhe i them se ne do të kërkojmë një hetim të plotë për korrupsion ndaj këtij subjekti. Një hetim të plotë në Shqipëri, në Austri dhe kudo gjetkë janë zhvilluar biseda, janë bërë pagesa dhe janë dhënë ryshfete.

Do të zbardhim të gjitha pazaret, të gjitha parakontratat. I them sot kompanisë ‘Austrian Lottery’ që tender-komedia e Ridvan Bodes nuk vlen, ndërsa licencën që kanë rënë dakord me Zenin, ne do ta anulojmë dhe do t’ia kthejmë atë shqiptarëve”, tha Balla në fjalën e tij. Më tej ai theksoi se “nuk mund të lejojmë që shqiptarëve t’iu merret një pronë publike prej më shumë se 100 milionë eurosh, se kështu ka ra dakord Zeni”.

“I them edhe bosit të kompanisë ‘Austrian Lottery’, zotit Friedrich Shtikler, se do të hetohet njëlloj edhe në Shqipëri, ashtu siç po hetohet aktualisht në vendin e tij në Austri, sepse vitin tjetër nuk do të jetë më Zeni me imunitetin e babit. I them sot edhe Ridvan Bodes, hiq dorë Ridvan nga tender-komeditë e paracaktuara, se nuk do të qasin as në Rakickë, me gjithë këto paudhësi që po bën”, theksoi Balla. Ndaj këtyre qëndrimeve të opozitës reagoi dhe Kryeministri Sali Berisha, i cili nga Vlora theksoi se “PS po i kërcënon investitorët e huaj”.

Me kërkesë të 1/4 së të gjithë anëtarëve, Kuvendi është i detyruar të caktojë komision hetimi

10 vjet - Firma austriake do ta përdorë këtë licencë për një periudhë 10-vjeçare. Austriakët gëzojnë të drejtën e rishikimit pas 10 vitesh

2 firma - Pas procesit të vlerësimit, komisioni qeveritar shpalli renditjen përkatëse firmat: 1. “Austrian Lottery” dhe 2. “LTO Consortium”

Pikët

15% - Struktura e aplikantit dhe situata financiare
35% - Përputhja me politikat rregullatore, kriteri tjetër
25% - Plani i biznesit dhe parashikimet financiare
25% - Strategjia e zhvillimit të tregut, tjetër vlerësim

Kuvendi

Brenda 5 ditëve nga momenti kur Banka ka konfirmuar pagesën, Ministria e Financave përcjell praktikën për miratim në Kuvend

Licenca e Lotarisë Kombëtare pritet t’i nënshtrohet një tjetër beteje, tashmë në Parlament. Sakaq, debatet janë ndezur mes forcave politike, ku nuk kanë munguar akuzat e forta deri në pastrim parash dhe ryshfete. Kështu, në një njërën nga pikat e vendimit mbi kriteret e tenderit thuhet se, brenda 5 ditëve nga momenti kur banka ka konfirmuar pagesën prej 500 milionë lekësh, Ministria e Financave përcjell praktikën për miratim në Kuvend. Në vendim thuhet se licenca për Lotarinë Kombëtare do të jepet për një afat 10-vjeçar nga dita e organizimit të lojës së parë.

Para se të mbërrijë në Kuvend, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, përgatit raportin përfundimtar të vlerësimit dhe njofton renditjen që tashmë është bërë më datë 23 korrik, ku austriakët janë të parët. Aplikuesit kanë të drejtën e ankimit për këtë vendim, brenda 30 ditëve nga data e shpalljes, tek Titullari i Autoritetit, i cili merr vendim brenda 30 ditëve nga paraqitja e kësaj ankese.

Brenda 5 ditëve nga shpallja fitues, kompania derdh 500 milionë lekë

Loja

Loja e parë e Lotarisë Kombëtare duhet të organizohet jo më vonë se tetë muaj nga miratimi i licencës nga Kuvendi i Shqipërisë

Me afatet e vendosura, ka shumë gjasa që goglat e para të Lotarisë Kombëtare të hidhen para zgjedhjeve të fushatës elektorale 2013, që zhvillohen kryesisht në fillim të verës.

“Loja e parë e Lotarisë Kombëtare duhet të organizohet jo më vonë se tetë muaj nga miratimi i licencës nga Kuvendi i Shqipërisë”, thuhet në vendimin e qeverisë. Duke marrë afatin më të mundshëm, të miratimit në tetor nga Kuvendi i licencës, koha prej tetë muajsh skadon në qershor, periudhë kur pritet të zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Kompania fituese, në rastin konkret austriakët, duhet të bëjnë kujdes me fushatën e marketingut gjatë fazës përgatitore të nisjes së Lotarisë Kombëtare. Kompania nuk duhet të reklamojë direkt te grupet e cenueshme (minorenët apo kategori të caktuara). Kompania duhet të adoptojë një ‘kod reklamimi dhe marketingu’ që të garantojë se aktivitetet e reklamimit dhe promovimit të shitjeve nuk nxisin të mitur ose kategorinë atyre me probleme në luajtje dhe që nuk i japin lojtarit informacione keqorientuese.

Kompania fituese duhet të bëjë kujdes me fushatën e marketingut