E Enjte, 19 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Lorik Cana: Duhet te krenohemi me kete skuader

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Lorik Cana: Duhet te krenohemi me kete skuader
Kapiteni i Kombëtares shqiptare, Lorik Cana, nuk ka mundur të jetë në fushë për shkak të pezullimit me kartonë, kështu që i ka përjetuar emocionet nga shkallët e stadiumit. “Më vjen keq që nuk fituam. Të gjithë lojtarët dhanë maksimumin dhe tifozët në stadium ishin të mrekullueshëm. Më vjen keq që s’e arritëm fitoren. Megjithatë, ka edhe katër ndeshje deri në fund. Golin mund ta pësonim edhe pas dy apo katër minutash nga momenti kur u ndëshkuam. Mund të ekzekutohen shumë goditje këndi dhe të shpëtosh. Por, vjen një dhe e pëson. Çani në fund kishte një rast për të shënuar, por edhe gjatë lojës kemi pasur shumë të tillë. Deri në fund ka edhe katër finale dhe ne duhet të besojmë. Ndeshjet e shtatorit janë decizive dhe aty do të shihet nëse Shqipëria do ta hedhë hapin e madh ose jo”, – ka deklaruar mesfushori i Lacios, i cili gjithashtu ka bërë me dije se në ditët në vijim do të jetë disa ditë me pushime me familjen.

Skuadra - Cana nuk pranon asnjë kritikë për lojtarët që ishin në fushë. “Futbolli nuk është si boksi që fitohet me pikë, sepse nëse do të ishte kështu, atëherë ne do kishim fituar. Por kemi pësuar golin, i cili na e prishi disi gëzimin e kësaj dite. Edhe nëse do të kishim fituar, nuk do kishim ndonjë arritje të madhe, por do të kishim hedhur një hap shumë të mirë drejt kualifikimit. Për mendimin tim, gara për vendin e dytë në renditje në grupin ku bëjmë pjesë do të luhet deri në ndeshjen e fundit. Barazimi nuk është një rezultat negativ, por duke qenë se në stadium ka pasur tifozë të shumtë që prisnin fitoren jemi disi të hidhëruar. Megjithatë për këtë skuadër nuk mund të themi asgjë më shumë, pasi me lojën që zhvilloi ajo, vetëm mund të krenohemi”, – ka përfunduar Cana, i cili është edhe një nga pikat e referimit të ekipit tonë kombëtar.