e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Lirohen nga burgu Pinari e Delijorgji

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Lirohen nga burgu Pinari e Delijorgji
Të gjithë të pandehurit e tragjedisë së Gërdecit, nga e cila humbën jetën 26 persona dhe qindra të tjerë u plagosën, do të gjykohen në gjendje të lirë. Gjykata e Tiranës ka liruar dje nga burgu Ylli Pinarin, Mihal Delijorgjin dhe Sokol Ngjeçin me arsyetimin se u ka mbaruar afati i paraburgimit. Vendimi i kolegjit penal të kryesuar nga Ridvan Hado ka marrë shkas nga vendimi i shkurtuar i Gjykatës së Lartë, e cila liroi disa ditë më parë Dritan Minxollin me të njëjtin argument. Tashmë, procesi gjyqësor më i madhi i zhvilluar ndonjëherë në Shqipëri nuk ka asnjë person të arrestuar apo ndaluar. Dhënia e drejtësisë për gjetjen e fajtorëve për 26 jetë të humbura ka dështuar.

 E vetmja zgjidhje ligjore, për familjarët e viktimave, janë gjykatat europiane, megjithatë çështja duhet të kalojë në të gjitha shkallët e gjyqësorit shqiptar. Edhe njëherë tjetër, drejtësia jonë e “pavarur” ka dhënë frytet për të akuzuarit. Palët akuzojnë njëra-tjetrën për këtë dështim, megjithatë asnjë masë nuk është marrë ndaj togave të zeza, prokurorëve apo vetë avokatëve, të cilët ia kanë arritur qëllimit, pra të lirojnë, pa u gjykuar nëse janë fajtorë apo jo, klientët e tyre. Qeveria shqiptare, nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë, deklaroi disa javë më parë se është dështuar me këtë proces. Të njëjtën frazë ka argumentuar edhe “qeveria” e gjyqësorit, pra KLD-ja. Përpos frazave të recituara para mediave dhe servirur publikut, asnjë masë nuk është marrë ndaj avokatëve që kanë munguar në seancat gjyqësore. Duket se të vetmit “të humbur” janë familjarët e viktimave të Gërdecit. Ata janë endur në dyert e gjykatës e prokurorisë për të gjetur drejtësi për një periudhë gati trevjeçare. Në fund janë “dorëzuar” dhe kanë ngurruar të marrin pjesë në seancat gjyqësore, duke e ditur fare mirë se e gjitha ishte një farsë.

Seanca gjyqësore filloi dje rreth orës 10:15. Pjesa më e madhe e avokatëve po informoheshin me shtypin e shkruar. Në kafazin e hekurt të gjykatës ndodheshin Ylli Pinari dhe Sokol Ngjeçi. Mihal Delijorgji ka preferuar gjykimin në mungesë, në prani të avokatëve. Në sallë kanë qenë vetëm dy nga katër prokurorët e Gërdecit, Altin Dumani dhe Petrit Bica. Mungonin Genci Qana dhe Marjeta Zaimi, për shkak se janë angazhuar në hetimin e “21 janarit”. Treshja gjykuese, Ridvan Hado, Fatmira Hajdari dhe Shefkie Demiraj kanë lexuar me radhë palët dhe në fund kanë pranuar avokatin e përjashtuar një seancë më parë të Delijorgjit. Ende pa u hapur mirë procesi gjyqësor, fjalën e mori avokati Gëzim Veleshnja, i “përjashtuari”. Ndryshe nga një seancë më parë, kësaj here avokati ka lexuar kërkesën duke argumentuar se klienti i tij, Mihal Delijorgji, duhet të lirohej.

Trupi gjykues nuk ka pasur asnjë kundërshtim dhe avokati ka shqiptuar se “nga verifikimi i të gjitha procesverbaleve të seancës gjyqësore rezulton se Mihal Delijiorgjit i ka humbur fuqia e masës së sigurimit në burg”. Duke iu referuar Kodit të Procedurës Penale, ai tha se nuk ka baza ligjore mbajtja e tyre në burg dhe kërkonin me ngulm lirimin. Madje, në seancë, përmendi edhe vendimin e Gjykatës së Lartë për lirimin e Dritan Minxollit. “Të merret në konsideratë vendimi i Gjykatës së Lartë”, tha Veleshnja. Pas tij, fjalën e mori avokati Bashkim Asllani që mbron interesat ligjore të Ylli Pinarit. Deklaroi të njëjta argumente si avokati i Delijorgjit dhe në fund kërkoi edhe ai lirimin e klientit të tij. Efekti domino mbërriti kësaj here tek i pandehuri tjetër i Gërdecit që ndodhej në burg, pra te Sokol Ngjeçi. Ai lexoi para gjykatës të njëjtën kërkesë për liri.

Fjalën e mori prokurori Altin Dumani, i cili tha se akuza i qëndron mendimit që kanë dhënë më parë, pra se nuk kanë përfunduar afatet e paraburgimit. Ai tha se vendimi për Minxollin nuk është i arsyetuar dhe si rrjedhojë në të nuk llogariten ditët e paraburgimit. Dumani saktësoi se masat e sigurisë janë personale dhe kërkojnë rrëzimin e kërkesës. Në replikë të prokurorit, avokati i Delijorgjit tha se prokuroria ka vepruar me dy standarde, dhe Kodi i Procedurës Penal, sipas tij, e përcakton qartë lirimin. Trupi gjykues, pasi dëgjoi palët, u tërhoq për vendim. Pas 30 minutave, kryesuesi i Kolegjit Penal, Ridvan Hado, lexoi vendimin. “Gjykata, pas konsultimit pranon kërkesat e tre të pandehurve”, vijoi Hado, duke vendosur ndaj tyre masën e arrestit në shtëpi. Ai argumentoi se çështja është zgjidhur nga Gjykata e Lartë, në vendimin për Ngjeçin. Dy të pandehurit që ndodheshin në sallë u lumturuan së tepërmi. Pinari e Ngjeçi u ngritën në këmbë dhe gjyqtari i bëri me dije së tashmë ata ishin të lirë të qëndronin në sallë dhe jo në kafazin e hekurt.