Lila-Cikalleshi: Gati te prekim Francen
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Andi Lila dhe Sokol Cikalleshi janë dy lojtarët të cilët kanë shkëlqyer këtë sezon. Kanë qenë heroikë për ekipet e tyre, por jo vetëm. Kanë shkëlqyer edhe në ekipin kombëtar. Lila dhe Cikalleshi janë në sinkron me fjalët e trajnerit De Biazi në konferencën e tij dy ditë më parë, duke vlerësuar në maksimum këtë miqësore si një test shumë të rëndësishëm. I pari që ka folur ishte Andi Lila. Ndeshja me Francën është si qershia mbi tortë e një sezoni të gjatë.
Është ndeshje me një ekip cilësor dhe është një ndeshje e veçantë për t’u shijuar dhe për t’u kënaqur. KAS-i është një vendim që e presim me padurim por nuk ndikon tek paraqitja në fushë. Por nëse 3 pikët do të jenë në favorin tonë do të jetë një mrekulli për të gjithë shqiptarët. Në të shkuarën kemi parë që një gol ka bërë diferencën dhe sigurisht që tre pikë janë shumë. Për pjesën e dytë nuk kemi ndeshje të lehta. Sa për të ardhmen kam një kontratë 3 vjet e gjysmë me Parmën. Shpresoj që të qëndroj në Itali tek Parma ose edhe në një skuadër tjetër”, është shprehur Andi Lila.
Nga ana tjetër Sokol Cikalleshi ka vazhduar me deklaratën e tij: “Ne nuk kemi miqësore. Vlerësojmë çdo ndeshje në maksimum. Po përgatitemi më së miri pasi është e rëndësishme për fatet drejt Francë 2016. Preferoj që të fitojë skuadra, por nëse shënoj unë atëherë do të ishte diçka e mirë. Kam rënë parimisht dakord me Instambul për 4 vite, por për shkak të impenjimit me Kombëtaren nuk kam shkuar të firmos. Pas ndeshjes me Francën do të hedh firmën dhe shpresoj që në të ardhmen të bëj një tjetër hap cilësor”, ka mbyllur Cikalleshi.
Vetëm për të hedhur firmën ka mbetur, që Sokol Cikalleshi të bëhet pjesë zyrtare e Istanbul Basaksehir. Nëse deri para pak ditësh kavajasi lakmonte Bundesligën, ose Seria A, tashmë sulmuesi kuqezi është joshur nga paratë. Plot 1.8 milionë euro do të shkojnë në arkat e klubit kroat, RNK Split, që ka kartonin e Cikalleshit. Klubi nga Stambolli këtë sezon e mbylli në mënyrë të shkëlqyer, në vendin e katërt në Super Ligën Turke.
Afrim Taku dhe Arbnor Fejzullahu bashkë me të rikthyerit Sabien Lilaj dhe Renato Arapi u vendosën fillimisht nën urdhrat e zëvendëstrajnerit Paolo Tramexani në stërvitjen e parë. Trajneri De Biazi mungoi në 30 minutat e para të seancës, pasi ndodhej në Tiranë për të tërhequr pasaportën shqiptare, por shumë shpejt u bashkua me grupin duke vijuar punën me seancën ku kryesisht u zhvilluan ushtrime taktike dhe u punua shumë me topin. Grupi u stërvit i plotë dhe gjatë gjithë seancës të pranishëm në stërvitje ishin edhe pjesëmarrësit e kursit të UEFA-s për licencën A të trajnerit. Kuqezinjtë vazhdojnë përgatitjet për ndeshjen e 13 qershorit 2014.
Sfida ndaj Francës pritet të jetë një test për Shqipërinë në prag të sfidave të shtatorit ndaj Portugalisë dhe Danimarkës. Por përpara kësaj miqësoreje është një vendim që të gjithë e presin me padurim, pasi Gjykata Arbitrazhit Sportiv (KAS) në Lozanë do të japë përgjigjen përfundimtare për çka ndodhi në Beograd, më 14 tetor të vitit të kaluar.