e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Lestër mos ki frikë, bëhu i pavdekshëm!

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Lestër mos ki frikë, bëhu i pavdekshëm!

Nga GERI LINEKER

Diçka e jashtëzakonshme po ndodh në botën e futbollit. Diçka që sfidon logjikën. Diçka me të vërtetë magjike. Diçka që më ngacmon emocionet më të thella, sepse po i ndodh skuadrës sime. Është skuadra që kam bërë tifo që kur isha në përmasat e një qeseje patatinash.lester siti E kam parë Lestërin të humbasë finalen e "FA Cup" në 1969 me babanë dhe gjyshin kur isha 8 vjeç dhe kam qarë gjatë rrugës për në shtëpi. I kam parë të ngjiten e të rrëzohen.

Kam luajtur për ta për 8 vite. Ngrita edhe një grup tifozësh dhe miqsh për të grumbulluar disa të holla për të shpëtuar klubin nga falimenti. Por asgjë s'krahasohet me këtë. Lestëri kryeson bindshëm dhe nuk është shtator, por mars.

Është i njëjti kontingjent që sezonin e shkuar lëngonte në fund të tabelës. Ajo që ka ndodhur prej atëherë është përtej mrekullisë. Fillimisht, nën drejtimin e Najxhel Pirsonit "dhelprat" shkruan një prej mbijetesave më të mbinatyrshme. Pirson u shkarkua duke sjellë edhe zhgënjimin e pjesës më të madhe të tifozëve pas një skandali seksual të 3 lojtarëve të rinj në një tur, njëri prej të cilëve djali i trajnerit.

Erdhi Ranieri dhe në këtë pikë unë duhet të tregohem i sinqertë dhe them ashtu si shumë të tjerë se u ndjeva pak i pafrymëzuar nga zgjedhja. Në të shkuarën ai kishte drejtuar një Greqi që ishte mundur nga Ishujt Faore.

Por një zot e di sesa gabim e pata. Edhe bastet ishin me mua. Lestëri ishte favoriti i parë për të rënë në Championship. E kush e kishte imagjinuar këtë që po dëshmojmë sot, i cili nëse në fund do të kurorëzohet, do jetë ndoshta fitorja më e paimagjinueshme e një skuadre sportive.

Një grup lojtarësh që nuk fitonte dot një ndeshje as për pasion dhe as për para një vit më parë, është shndërruar në një forcë të pamposhtur. Një skuadër me një shpirt grupi si rrallë ky sport ka parë. Të gjithë të bashkuar nga frymëzuesi.

Po, po, pikërisht frymëzuesi "Tinkerman". Por si ta kuptojmë të pakuptueshmen? Kjo nuk shpjegohet me faktin që Riçardi III u varros në Lestër në kohën kur nisi ngjallja e "dhelprave", apo jo? Është një marrëzi e supersticiozëve, me siguri?

Nuk kam pasur dëshirë më të madhe që të ndodhë diçka në sport në gjithë jetën time. Edhe djali i madh, Xhorxh, i cili është një tifoz i përjetshëm i Junajtid, është i entuziazmuar.

Babai më shkroi një mesazh: "Kam pritur 70 vite për këtë bir". Presioni po shtohet, sepse janë në kufijtë e pavdekshmërisë, por unë i them skuadrës sime të mos ketë frikë. Bëjeni tuajin trofeun! Ashtu siç Riçardi III i Shekspirit thoshte: "Çfarë kam frikë? Veten time!"