e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Lenjani-Hysaj-Fejzullahu: Franca test per Portugaline e Danimarken

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Lenjani-Hysaj-Fejzullahu: Franca test per Portugaline e Danimarken

I pari që ka folur për ekipin kombëtar ishte Elseid Hysaj. Për kuqezinjtë dhe të ardhmen Hysaj është treguar i matur. “Së ardhmes nuk i dihet. Fjalë ka kudo, madje emra të shumtë klubesh, por janë në ajër. Diçka konkrete me emrat që përfliten nuk kam patur.

Vetëm Napoli është më afër. Kam patur kontakte me këtë klub ende pa shkuar ish-trajneri im atje. Por, tashmë që ka shkuar Mauricio Sarri, besoj se çdo gjë do të jetë më e lehtë.

Ndeshja me Francën është barometër për të analizuar veten tonë, sidomos pas përfundimit të kampionatit. Kjo na vlen që të matim veten për ndeshjet e tjera që kemi në grup. Duhet të luajmë mirë dhe të shohim veten se ku jemi përpara se të mbërrijmë te 4 ndeshjet e dytë të fazës në grupe për kualifikimin në Europian. Nuk do e kisha problem dhe po ta kishim Francën kundërshtar direkt në grup.

Është në një nivel me kundërshtarët e tjerë. Po të ishte në vendin e Portugalisë, Danimarkës apo edhe Serbisë, sërish do të ishte një kundërshtar i njëjtë dhe do të ndesheshim me “gjelat” siç kemi sfiduar emrat e sipërpërmendur”, është shprehur Hysaj.



Ndërsa Ermir Lenjani ka vazhduar: “Ndeshja me Francën është shumë e rëndësishme për skuadrën tonë, veçanërisht për mua. Gjatë kësaj periudhe kohore nuk kam patur hapësira te Renë. Shkak ka qenë një karton i kuq, por edhe i dëmtimeve që kam pësuar. Situata në këtë ekip nuk shkoi siç e prisja. Duke qenë se me kombëtaren kam bërë paraqitje tejet të kundërta nga ato që kam bërë në kampionatin francez, kjo ndeshje mund të jetë kartolinë për drejtuesit e mi.



Ata i dinë aftësitë e mia, ndaj më ka befasuar aktivizimi i paktë pas kalimit në janar te kjo skuadër. Jam lojtar i Rennes dhe them se nuk do të lëviz nga ajo, edhe pse nuk po kaloj momente të mira. Presim me padurim vendimin e CAS-it.

Aty ka dy vendime që mund të jepen; tri pikët në tavolinë dhe riluajtja e ndeshjes. Më e mira është të na kthejnë tri pikët, por edhe nëse na kërkojnë të riluajmë ndeshjen e ndaluar të 14 tetorit të kaluar, ne jemi të gatshëm. Nga ana morale them me bindje se e kemi të fituar. Me këtë trepikësh jemi shumë afër Francës. Në të kundërt, ngelemi me shpresë te “play-off’”-i”, përfundon mesfushori kuqezi.



Në fund për mediat preshevare ka folur edhe lojtari më i ri kuqezi. “Fillimisht pata emocione, sepse të grumbullohesh me kombëtaren është kënaqësi e pamatë, privilegj, por edhe përgjegjësi e madhe. Fatmirësisht, këtu kam edhe shokun tim të mirë, Rrahmani, me të cilin po kaloj kohën më të madhe, edhe Hoxhën, që luajmë në një skuadër.

Sidoqoftë, të gjithë më kanë pritur ngrohtë. Mjedisi në kombëtare është shumë miqësor, ka harmoni dhe kjo gjë ia lehtëson punën çdo fillestari si unë me fanellën kuqezi. Po stërvitem bashkë me të tjerët dhe do të pres momentin tim. Nëse De Biazi më aktivizon sadopak ndaj Francës, do të jap më të mirën. Me këtë rast falënderoj Partizanin, sepse falë tij jam në kombëtare. Të veshësh fanellën kuq e zi është ëndërr e çdo futbollisti shqiptar”, shprehet  futbollisti që vjen nga Lugina e Preshevës.