e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Lacio, nga Franca insistojne: Cana do te kthehet ne Ligue 1

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Lacio, nga Franca insistojne: Cana do te kthehet ne Ligue 1
Pas informacioneve të para në mediat shqiptare, tashmë vijnë konfirmime edhe nga Franca: Mesfushori i Lacios, Lorik Cana (29 vjeç), mund të largohet nga klubi bardhekaltër. Në veçanti “luftëtari” mund të kthehet të luajë pikërisht në Ligue 1 (ku ka veshur bluzën e Paris Saint Germain dhe Marsejës). Lorik Cana ishte transferuar në Itali, përkatësisht te Lacio, për ta ringjallur karrierën, pas përvojës së dështuar në Turqi, ku për një vit luajti me gjigantin turk Gallatasarai. Mirëpo, mesfushori shqiptar nuk e ka gjetur rehatinë as në kryeqytetin italian. Edhe pse shpesh nëpër mediat italiane thotë se ndihet i lumtur te Lacio, eksperienca e tij në këtë klub nuk ka filluar siç ishte pritur. Kur u transferua gjatë verës te klubi italian, u bë bujë e madhe, pasi konsiderohej si një prej përforcimeve më të mëdha.

Mirëpo, për dallim nga Miroslav Klose e Xhibril Cise, përfaqësuesi shqiptar ka mbetur nën hije. Ai është katandisur në një lojtar pankine dhe nuk ka bindur aspak me kualitetin që zotëron. Për këtë, sipas ueb faqes franceze “Mercato365.com”, trajneri Edi Reja nuk e llogarit më dhe ish-futbollisti i Paris Saint Germain, Olimpik Marsejës, i Sandërlend dhe i Gallatasarait mund të largohet gjatë janarit. “Trajneri Reja nuk është bindur nga lojtari dhe nuk do të thoshte ‘Jo’ për një largim eventual të Canës në dimër”, shkruan faqja prestigjioze sportive franceze. Menjëherë kanë filluar spekulimet se cila do të ishte e ardhmja e futbollistit gjakovar. Gjithnjë sipas “Mercato365.com”: “Cana, i cili luan në rolin e mesfushorit shkatërrues, por edhe në atë të qendërmbrojtësit, mund të rikthehet në Francë, te Marseja, ku e arriti kulmin e karrierës së tij. Opsion është edhe PSG”. Por gjithsesi përjashtohet një shitje e tij në janar.