e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Labinot Harbuzi: Dua te luaj me Shqiperine

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Labinot Harbuzi: Dua te luaj me Shqiperine
Për të dytën herë në harkun e një viti, Labinot Harbuzi i vetofrohet përfaqësueses shqiptare. Mesfushori me tipare ofensive, i cili ka pasaportë suedeze, vazhdon të injorohet nga përfaqësuesja e këtij vendi dhe po mendon seriozisht të luajë me fanellën kuqezi. 25-vjeçari, i cili luan te Gençlerbirligi së bashku me Debatik Currin, mund të ishte zgjidhja e problemeve të Kombëtares për sa i takon çështjes së pasardhësit të Ervin Skelës. Harbuzi ka spikatur në Superligën turke dhe për të kanë shfaqur interes disa klube të mëdha, mes të cilave edhe Gallatasarai. Por, për të evituar që kosovari të largohej, presidenti i Gençlerbirligisë, Ilhan Çavçav, i dyfishoi rrogën. “Luaj në Ligën turke, një prej kampionateve më të rëndësishme në Europë, në të cilin militojnë edhe yje të futbollit botëror si Guti, Simao dhe Hugo Almeida.

Megjithatë, vazhdojnë të mos më grumbullojnë në Kombëtaren e Suedisë; këtu ka diçka që nuk shkon”, tha ai. Harbuzi, i cili ka luajtur edhe me U-21 të Suedisë, konfirmoi edhe kontaktet me Shqipërinë: “Jam menduar gjatë për Kombëtaren: kam lindur dhe jam rritur në Suedi, por ndihem mjaft i lidhur me Shqipërinë dhe tashmë dua të luaj për përfaqësuesen kuqezi. Kjo nuk është një mënyrë presioni për Kombëtaren suedeze. Nëse do të më ftonin në këtë skuadër, doja që kjo të ndodhte falë aftësive të mia, por duket se ato nuk i mjaftojnë stafit teknik. Gjithsesi, kam biseduar me Federatën Shqiptare të Futbollit dhe për zgjidhjen e kësaj çështjeje është kontaktuar edhe FIFA”.