e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Kuzhe: Shqiperia ka talente, por vuajne prej terreneve

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Kuzhe: Shqiperia ka talente, por vuajne prej terreneve
Ish-trajneri i ekipit kombëtar shqiptar, Josip Kuzhe, ndodhet në Kinë, në Tiaxhin, ku ka filluar stërvitjen e skuadrës së qytetit. Gjatë një interviste për Radion e Jashtme të Kinës, kroati Kuzhe tregon ndër të tjera edhe për eksperiencën e tij disavjeçare në Shqipëri, duke analizuar edhe futbollin shqiptar e të ardhmen e tij. Kuzhe thotë se shqiptarët janë të dashur dhe e sheh të mirë perspektivën e zhvillimit të futbollit. Ai bën thirrje për shtimin e bashkëpunimit midis skuadrave kineze dhe atyre shqiptare.

Çfarë përshtypjesh keni për futbollin shqiptar?

Për sa i përket futbollit shqiptar, ka futbollistë të talentuar, por mendoj se mungon puna sistematike. Gjithashtu kushtet e stërvitjes janë një problem tjetër për ta.

Ky problem ka lidhje financat?

Po, ata kishin probleme ekonomike, por tani kanë ndërtuar shumë stadiume (ndoshta u referohej vetëm fushave). Në këto stadiume çdo futbollist dhe çdo fëmijë mund të stërvitet mirë. Unë mendoj se në të ardhmen Shqipëria do të ketë më shumë futbollistë të talentuar, por për këtë duhet kohë. Në fakt, në 10 ose 20 vitet e kaluara, në Shqipëri nuk ka pasur shumë investime në futboll, sidomos për të rinjtë, nuk janë krijuar kushte të mira. Gjithësi, futbolli shqiptar e ka të ardhmen të ndritshme.

Eksperienca me ekipin kombëtar të Shqipërisë a solli ndonjë ndikim pozitiv për ju?

Po, me siguri ka pasur ndikim pozitiv për mua. Puna ime në çdo vend ka ndikim pozitiv. Kam mësuar diçka nga puna në vende të ndryshme. Për shembull, shqiptarët kanë personalitet dhe forcë. Në shpirtin e tyre kanë dëshirën e fortë për sukses, kjo është një veçanti shumë e mirë. Dua të them se gjatë qëndrimit në Shqipëri u ndjeva mjaft mirë, njerëzit më donin shumë dhe unë e dua atë vend. Kam kujtime vërtet të bukura atje.

Për sa i përket futbollit shqiptar, çfarë momenti do të veçoni?

Dua ta theksoj edhe njëherë, është karakteri i tyre. Ata janë shumë entuziastë, cilësi që ekziston në mënyrën e mendimit dhe kulturën e tyre. Në të njëjtën kohë, kjo është një dëshirë shumë e fortë për sukses. Kur fitojnë, e ndjejnë thellë gëzimin dhe i shprehin ndjenjat e tyre direkt. Kjo mendoj se është një gjë e bukur, prandaj them se ky është një faktor pozitiv. Kam kujtime shumë të bukura me shqiptarët. Kur isha në Shqipëri, pata një problem shëndetësor dhe e gjithë Shqipëria shprehu kujdes ndaj meje. Ata shpresonin që unë të shërohesha sa më shpejt. Shumë funksionarë të lartë, madje edhe presidenti i Shqipërisë, më vizituan në spital. Kjo tregon dashurinë e tyre për mua. Qe një ngushëllim i madh për mua kur isha në vështirësi. Nuk do ta harroj kurrë.

Sipas jush, ka ndonjë rast për bashkëpunimin midis Kinës dhe Shqipërisë ose midis Kinës dhe Evropës në fushën e futbollit?

E di se shqiptarët e duan bashkëpunimin, ata dëshirojnë të zhvillojnë bashkëpunime me Kinën. Në të kaluarën ekipi kombëtar shqiptar dëshironte të vizitonte Kinën për një miqësore.

Pra, ka mundësi të ketë bashkëpunim në të ardhmen?

Po, shpresoj që po. Me siguri do të ketë bashkëpunim në të ardhmen për ndeshje miqësore apo forma të tjera. Nëse ekipi kinez mund të shkojë në Shqipëri për ndeshje, shqiptarët do të jenë shumë të gëzuar. Mendoj se ekipi kinez ka nevojë të shkojë në Evropë për ndeshje të tilla, p.sh, zhvillimi i një turneu njëjavor, siç bën ekipi japonez që shpeshherë shkon në Britani për ndeshje të tilla. Veçse Japonia paguan për këtë. Kurse kinezët mendoj se nuk kanë nevojë të paguajnë.