e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Kuzhe: Me Francen pres reagimin e ekipit

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Kuzhe: Me Francen pres reagimin e ekipit
Trajneri, i shqetësuar për Bulkun, thekson se kuqezinjtë luajnë në Paris si të barabartë

Josip Kuzhe kërkon që Shqipëria të reagojë pas turpërimit të përpara një muaji në Luksemburg. Trajneri kërkon që përfaqësuesja ta bëjë këtë pikërisht në ndeshjen me Francën, ku pavarësisht mungesës së 6 titullarëve, ai beson se kuqezinjtë do të futen në fushë si të barabartë. Ndërkohë, kroati ndërron mendim dhe zbulon se do të luajë me 4 mbrojtës dhe një mesfushë të përforcuar me 5 lojtarë, ku Odise Roshi do të jetë titullar, Jahmir Hyka organizator, ndërsa dyshimi dhe frika më e madhe është vetëm për gjendjen e Ervin Bulkut.

Mister, a është Shqipëria gati për sfidën me Francën, duke parë edhe mungesën e shumë titullarëve?

Do të luajmë me Ujkanin në portë, në mbrojtje janë: Dallku, Cana, Lila e Vangjeli, në mesfushë Muzaka, Duro, Bulku, Hyka e në të majtë Roshi ose Lika. Salihi do të jetë i vetëm në sulm. Nëse Bulku nuk luan, në qendër të mesfushës do të jetë Lika, por do të kemi vështirësi. Me këtë skuadër në mendjen time jam në rregull, por pa atë humbas shumë dhe do ta kem të vështirë për formacionin prej mungesave në mbrojtje.

Edhe Franca ka mjaft mungesa të rëndësishme, si Riberi, Benzema, Sanja, Abidal, Gameiro…

Personalisht jam i lumtur që Riberi dhe Benzema nuk luajnë. Pa Riberi, ata humbasin një individ shumë të mirë në sulm dhe kjo mund të na lejojë të mbrohemi më mirë. Megjithatë nuk ndihem më i qetë, ata kanë lojtarë të shkëlqyer. Kam vëzhguar 10 ndeshje të francezëve, ku janë aktivizuar 25 lojtarë. Nuk do të mund të jepja një përgjigje të saktë, për cilët elementë nuk doja që të luajnë. Kundër Rumanisë ata kishin 5 lojtarë të rinj në krahasim me formacionin që luajti në Shqipëri. Për Francën, Bosnja është ndeshja më e rëndësishme, ndaj edhe aty do të përqendrohen.

A prisni reagim nga skuadra pas humbjes me Luksemburgun dhe a keni besim për ndonjë barazim?

Normalisht që pres një reagim pas humbjes me Luksemburgun dhe gjatë këtyre ditëve jemi përgatitur psikologjikisht; ka të bëjë me motivimin dhe besimin. Skuadra ka motivimin e duhur, pasi kjo është një ndeshje të cilën nuk të rastis ta luash shpesh në karrierë. Ndërsa besimi nuk lidhet vetëm me mënyrën sesi përballemi në këtë ndeshje, por me faktin që të luajmë si të barabartë.

Mendoni se Kombëtaren e pret një sfidë më e lehtë në Francë, pasi në takimin e parë kishte shumë presion për rezultat pozitiv?

Besoj se është kështu. Gjithçka rreth Francës është e veçantë: po flasim për një ndeshje të madhe, një stadium të madh, atmosferë të mirë e lojtarë të mëdhenj. Sigurisht që ka emocione, por këto emocione duhet të jenë në funksion të motivimit.

Sa ndikon kjo ndeshje për të ardhmen tuaj në krye të Shqipërisë?

Të gjitha ndeshjet ndikojnë për të ardhmen time; jo vetëm në aspektin profesional, por edhe atë emocional. Në të ardhmen kujtohen ndeshjet e mira apo të këqija dhe sa vend ke lënë diku. Megjithatë, nëse tani më thoni a po bëjmë ndeshje për të ardhmen në këto momente, atëherë përgjigjem jo. Mendoj vetëm të bëj një ndeshje të mirë si pjesë e detyrës aktuale dhe jo për të ardhmen.

Nëse Shqipëria ndal Francën, Bosnja ka shansin të kualifikohet si e para e grupit. Ju ka kërkuar Xhemal Mustedanagiç ndonjë nder?

Nga Bosnja më telefonojnë shumë gazetarë, të cilët më kërkojnë në mund të bëj diçka për ta. Nuk mendoj shumë për boshnjakët, mendoj për Shqipërinë. Kam simpati për ta, si pjesë e futbollit të ish-Jugosllavisë, madje më shumë sesa për Francën, por vetëm kaq.

Na thoni me sinqeritet, tani që ndodhemi dy ndeshje para fundit, sa pikë mendonit se mund të arrinit?

Nuk i kam numëruar pikët, kam llogaritur përgjithësinë. Nuk donim që të ishim thjesht pjesëmarrës në këto kualifikime, por të ishim më të rëndësishëm, të bënim rezultate më të mira, të fitonin ndeshje, të mundnim ndonjë kundërshtar më të fortë se Shqipëria, si Bosnja apo Rumania. Nuk mund të them se ëndërroja që të kualifikohesha në Europianin 2012, por të arrija rezultate të mëdha, që do të vlenin për të ardhmen. Do të doja që të flisnin më shumë për Shqipërinë në ambientet e futbollit. Kjo sepse sjellja ndaj Shqipërinë nuk është korrekte: shikoni gjyqtarët si na trajtojnë, nuk na respektojnë si bëjnë me të tjerët. Ne kemi ndryshuar diçka, sepse e kemi lëvizur Shqipërinë në atë renditjen e FIFA-s, por edhe në publicitet. Kur eci mes njerëzve në Kroaci, ata flasin për Shqipërinë. Kjo më gëzon, por do të isha akoma më i lumtur nëse do të flisnin kështu gjithandej.