e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Cana: Franca? E veçante, por une dua ta fitoj kete sfide

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Cana: Franca? E veçante, por une dua ta fitoj kete sfide
Loriku i druhet ndonjë humbje të thellë, për shkak të mungesave të rëndësishme

Ka lindur në Kosovë, por për pjesën më të madhe të jetës futbollistike dhe si njeri është rritur në Paris e Marsejë. Në Francë ka përjetuar edhe momentet më të lavdishme të karrierës. Prandaj sfida e nesërme në “Stade De France” ndaj “Gjelave” është shumë e veçantë për Lorik Canën. Mesfushori kuqezi rikthehet të luajë në një stadium francez pas tre vitesh, kur edhe vendosi të largohej nga Marseja për te Sandërlendi, Gallatasarai e tani te Lacio. “Sigurisht kam emocione, rrëfen Cana. Mendoj se çdo ndeshje me Kombëtaren ka shijen e vet. Pas të gjithë atyre viteve që kam luajtur aty, në një vend ku jam rritur si futbollist e si njeri, natyrisht që është e veçantë për mua. Në atë stadium kam luajtur katër finale të Kupës së Francës. Në Paris kam familjen time, kam shumë miq atje. Do të jetë një ndeshje e bukur, e veçantë, që do të mundohemi ta fitojmë, pastaj edhe të shijojmë momentin, pasi raste të tilla nuk vijnë shumë për një futbollist”. Cana nuk u shmanget përgjegjësive të mëdha që ka mbi supe për këtë ndeshje. Ai është kapiteni dhe duhet të bëjë rolin e liderit në fushë. “Sigurisht, është një përgjegjësi shumë e madhe për mua”, pohon mesfushori kuqezi, i cili nesër do të luajë si mbrojtës qendre. Ndërkohë që ka sulmuar mediat për “çështjen” e shiritit të kapitenit në ndeshjen e parë me Francën.

“Media ka përgjegjësi për mos prishjen e imazhit të Kombëtares, sqaron Cana. Ju siguroj se në 8 vjet që jam në Kombëtare nuk ekziston një ambient më i mirë dhe më i pastër se sa grupi që ka pasur ekipi ndonjëherë. Kjo është meritë e ekipit, e lojtarëve të gjithëve. Pra është fryt i raporteve të mira. Shiriti është diçka simbolike, pasi është nder i një lojtari të mbajë shiritin e kapitenit. Natyrisht që unë do ta mbaj edhe për shumë kohë atë, pasi është nder të jesh kapiten i Kombëtares. Në fushë unë sillem si një lider”. Cana thekson se mungesat e shumta mund të ndikojnë në lojën e skuadrës: “Ne luajmë në këtë sfidë me një 11-she që starton për herë të parë bashkë. Nga kjo mund edhe ta pësojmë një rezultat të thellë. Por ne shkojmë atje të organizuar, me shumë besim. Sepse kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne, për vlerat se si ekipi kombëtar perceptohet nga miliona e miliona telespektatorë që e ndjekin. Unë jam i sigurt se lojtarët e rinj do të japin 100 për qind të tyre”, përfundoi Loriku deklaratën e tij.