Kupa 26 Marsi, Vllaznia fituese e dyfishtë
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Dhjetë ekipe pjesëmarrëse për paratërinj e të rinj matën forcat dje paradite në Kavajë në garën kombëtare "26 Marsi" kushtuar ditës së festës së Demokracisë së këtij qyteti.
Impenjim e seriozitet pati prej çiklistëve, trajnerëve dhe klubeve që ata përfaqësonin. Ndërsa ndihma e monitorimi nga FSHÇ-ja ka qenë si gjithnjë në lartësinë e duhur. "Kupa '26 Marsi' iu rikthye traditës së deri pak viteve më parë dhe është kurorëzuar më së miri, pasi edhe masat tekniko-organizative nga Bashkia e Kavajës dhe klubi shumësportësh 'Besa' ishin model", do të evidentonte para e pas garës presidenti i Federatës Skënder Anxhaku.
Në itinerarin Kavajë-Maminas-Kavajë, i gjatë 60 kilometra, gara u përshkua nga një rivalitet i madh, çka bëri që edhe shpejtësia mesatare e arritur në fund të ishte në nivele të kënaqshme për dy kategoritë. Konkretisht 41.02 km/h.
Është dalluar skuadra shkodrane që ka korrur një sukses të dyfishtë me vendet e para, ndërsa nga një vend nëpodium ka pasur edhe për çiklistin e ri të talentuar të Besës, Përparim Rroci, që u rendit i dyti për të rinj, dhe Ridvan Tafilin e Teutës i dyti për paratërinj.
Gara e parë çiklistike e vitit 2016 solli si risi debutimin e Skënderbeut me trajner Renato Telhaj, ndërsa dy çiklistët e rinj të këtij ekipi e përballuan me sukses garën. Edhe Lushnja pritet t'i shtohet së shpejti familjes së gjerë të klubeve çiklistike të Shqipërisë, pasi përfaqësuesit e këtij klubi ishin në mbikëqyrje të kësaj veprimtarie.
REZULTATET PARATËRINJ
1. Bruno Kola (Vllaznia) 1h29'10"
2. Ridvan Tafili (Teuta) 1h29'11"
3. Rigers Velija (Vllaznia) 1h29'12"
TË RINJ
1. Kledison Cani (Vllaznia) 1h29'10"
2. Përparim Rroci (Besa) 1h29'11"
3. Sali Ballgjini (Teuta) 1h29'12"
Përgatiti: Feriz Ferizaj