e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Kukësi shkel Qemal Stafa-n për të mposhtur ballshiotët

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Kukësi shkel Qemal Stafa-n për të mposhtur ballshiotët

Si kurrë më parë, Kukësi ka zgjedhur që për një ndeshje në transfertë të zhvillojë stërvitjen e fundit në stadiumin kombëtar "Qemal Stafa". kukesi ferraj miciDje, të besuarit e Klodian Duros kanë dalë në stërvitje në terrenin e impiantit më të madh në vend, përpara se të niseshin drejt Ballshit. Gjatë gjithë kësaj jave, verilindorët kanë spostuar stërvitjen në orar paralel me atë të ndeshjes, pikërisht në 16:00. Pas konsultimit me drejtorinë e stadiumit "Qemal Stafa", këta të fundit pranuan kërkesën e Kukësit për një stërvitje dyorëshe, në një kohë që klubi pagoi për këtë seancë 1 milion lekë të vjetër.

Por, pse Duro preferoi të mbyllte përgatitjet në "Qemal Stafa"? Gazeta mëson se trajneri ka kërkuar që lojtarët të ambientohet me tapetin natyral, duke qenë i njëjtë si i stadiumit "Adush Muça", ku do të luhet sot ndaj Bylisit.

Zakonisht Kukësi stërvitet në fushë me bar artificial, prandaj dhe gjithnjë e ka pasur të vështirë sa herë tapeti ka qenë natyral. Skuadra e ka marrë shumë seriozisht transfertën e sotme, me synimin për të ruajtur vendin e tretë në një fushë ku asnjëherë nuk ka marrë tri pikë sa u përket ndeshjeve të kampionatit. Kukësi shkon sot në transfertën e Bylisit për të thyer tabunë e fitoreve.

Formacioni

Në stërvitjen e fundit, trajneri Duro ka provuar një skemë 4-4-2, teksa ka rënë në sy prania e sulmuesit brazilian, Mateus Lima, me titullarët. Për herë të parë është testuar dyshja Emini-Lima në sulm, por gjithsesi Duro ka provuar edhe Nikën. Ky i fundit ka qenë titullar në ndeshjet e kaluara, duke bindur me paraqitjet e tij, por, me sa duket, këtë herë në Ballsh nga fillimi mund të luajë Lima.

Ndërsa në mbrojtje rikthehet Hallaçi në të djathtë. Në pozicionet e tjera nuk ka dilema, teksa Malota dhe Shameti do të jenë në qendër, ndërsa Mici në të majtë. Mesfusha do t'i besohet Hasani e Musollit në qendër dhe Kariokës e Floresit nga krahët. Duro kërkon fitoren, por në të njëjtën kohë po mendon edhe për ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës.

Izair Emini

Bomberi i Kukësit, Izair Emini, autori i shtatë golave deri më tani në kampionat, dje gjatë një bisede për "Panorama Sport" theksoi se për skuadrën ka më shumë rëndësi trepikëshi në Ballsh, sesa gjetja e rrugës së rrjetës nga ana e tij.

"Mbyllëm përgatitjet për ndeshjen me Bylisin, duke vlerësuar në maksimum këtë takim. Jemi të bindur se do të arrijmë të dalim me sukses nga kjo fushë, edhe pse e dimë që do jetë e vështirë, për vetë pozicionin e të dyja skuadrave në renditje.

Ne nuk duam të humbasim terren ndaj ndjekësve më të afërt, përkundrazi duam që të shkëputemi, ndaj dhe kërkojmë në çdo takim fitore. I kemi të gjitha mundësitë për ta bërë këtë hap. Sa për mua, nëse shënoj apo jo, nuk është shumë e rëndësishme, pasi dua që në radhë të parë skuadra të marrë 3 pikët.

Shpresoj të shënoj, pasi kjo është detyra e sulmuesit, por le t'ia lëmë fushës gjithçka. Jemi të përqendruar maksimalisht, sepse kemi bërë një punë të mirë gjatë këtyre ditëve dhe besoj te fitorja. Pas atij dëmtimi që pata dy javë më parë, tashmë ndihem mirë dhe jam i gatshëm për skuadrën", ka thënë dje sulmuesi më i mirë i Kukësit, i cili në 9 ndeshje të fazës së tretë ka arritur të shënojë 7 gola. Afrimi i tij ka eklipsuar në njëfarë mënyre brazilianin Lima, i cili në fakt iu bashkua me vonesë skuadrës.

Përgatiti: S.Sulozeqi