Kukesi-Skenderbeu, supersfida behet antireklame e futbollit
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Futbolli shqiptar ka rënë përsëri pre e dhunës dhe kjo ka ndodhur pikërisht në atë ndeshje ku do të ishin sytë e të gjithëve, Kukësi-Skënderbeu. Supersfida që pritej të kthehej në temë diskutimi dhe të tregonte forcën e dy pretendentëve për titullin kampion është zbehur plotësisht nga ajo që ka ndodhur në fund të 90 minutave.
Në përfundim të një ndeshjeje të luftuar, të mbyllur në barazim 1-1, me gola pikërisht në minutat 87 dhe 88 të saj, vendimi i gjyqtarit Jorgji për të mbyllur 30 sekonda para kohe sfidën, ka bërë që situata të degjenerojë në skena shumë banale në fushë. Lojtarët e Kukësit kanë protestuar pranë kryesorit të ndeshjes pas vendimit të këtij të fundit, ndërsa më pas atyre u është bashkuar edhe trajneri Shensoj. Pikërisht reagimi shumë i ndezur i këtij të fundit, si dhe një debat i dukshëm në kufijtë e fushës mes drejtorit teknik të vendasve, Sulejman Starova dhe trajnerit të Skënderbeut, Mirel Josa, ka shtyrë edhe tifozët të tentonin të thoshin fjalën e tyre në këtë çështje. Nga njëra anë, kanë vërshuar sendet e forta të hedhura në fushë, ndërsa në anën tjetër, disa persona kanë hyrë qetësisht në fushë dhe kanë tentuar të godasin gjyqtarët. Fatmirësisht, forcat policore këtë radhë janë zgjuar në kohë, duke bllokuar këto tentativa, ndonëse kjo situatë bëri që për rreth 10-15 minuta, kaosi të mbizotëronte në stadiumin “Zeqir Ymeri”.
Këto shfaqje, me shumë mundësi do të pasohen nga dënimi i radhës për skuadrën e Kukësit, duke penalizuar ndjeshëm verilindorët në rrugën e tyre drejt titullit kampion. Ndërkohë, nuk pritet t’i shmanget dënimit edhe trajneri Shensoji, i cili protestën e tij e ka vijuar edhe pas ndeshjes, duke e cilësuar normale një gjë të tillë. “Mendoj se çdokush ka të drejtë të protestojë dhe nuk ka në rregullore diçka që më pengon ta bëj”, ishin fjalët e tij, duke sfiduar hapur FSHF-në që vështirë se do ta falë teknikun e Kukësit.
Ndërsa në “Zeqir Ymeri” luhej për titullin kampion, “klasikja” e futbollit shqiptar, Tirana-Vllaznia, e luajtur në “Qemal Stafa”, as që i është afruar spektaklit që pritet nga këto dy skuadra me traditë në futbollin shqiptar. Ndeshja është mbyllur në barazim 1-1, me shkodranët që kanë shënuar të parët falë Hajdarit. Por ata nuk kanë arritur të administrojnë avantazhin dhe janë arritur nga goli i Limanit në pjesën e dytë të ndeshjes. Bardheblutë, të avantazhuar edhe nga një karton i kuq i Belishës, dominuan në lojë dhe në raste, por nuk arritën më të gjenin rrugën e rrjetës. Ky barazim mban Tiranën në vendin e fundit në klasifikim dhe nuk është se ndihmon shumë ekipin e Maganit në rrugën e vështirë që ka përpara. Por të paktën, kjo pikë ndali ecurinë negative prej 5 humbjesh radhazi të kësaj skuadre që vazhdon gjithsesi të mbetet pretendente kryesore për rënien në këtë sezon.
Dhuna
Ashtu siç ka ndodhur shpesh në vitet e fundit, tifozët janë futur të pashqetësuar në fushë duke kërkuar të ushtrojnë dhunë ndaj gjyqtarëve. Vetëm atëherë, policia ka reaguar, duke i ndaluar në tentativat e tyre dhe marrë në mbrojtje gjyqtarët e ndeshjes