Kukeli: Shkojmë pa frikë në Francë, nuk duhet ta lëmë me kaq
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Burim Kukeli beson te surpriza në Francë.
Mesfushori kuqezi shfaq bindjen se shanset për të përsëritur performancën e mirë të kualifikueseve edhe në Europian ekzistojnë.
Mungon eksperienca, por kjo kurrsesi nuk e frikëson kosovarin. "Jemi entuziastë dhe të gëzuar për atë që kemi arritur. Kualifikimi na bën të gjithëve krenarë. Kur kanë mbetur edhe pak muaj nga ky kompeticion i rëndësishëm, na mbetet për detyrë që të jemi të përqendruar maksimalisht. Duhet që të fokusohemi dhe të tregojmë sërish vlerat tona, siç bëmë edhe gjatë kualifikueseve.
Nuk duhet që të ndalemi me kaq. Ajo që arritëm ishte historike, por tashmë duhet të synojmë shumë më shumë se kaq", tha fillimisht 32-vjeçari. Gjakovari e pranon se për një popull si shqiptarët nuk është e lehtë që të shmangësh euforinë.
"Ne jemi një popull emocional dhe e kemi shpesh të vështirë që të shmangim euforinë. Për më tepër që ne e tregojmë haptazi diç- ka të tillë dhe për çdo rast. Megjithatë, për nga rëndësia që kishte ajo që arritëm, mendoj se është krejt normale që të ketë edhe një përjetim të tillë. Besoj se na falet".
Eksperienca
Kjo është e para herë për Kombëtaren tonë që do të luajë në të tilla nivele dhe rrjedhimisht eksperienca mungon. Por kjo nuk e tremb Kukelin, pasi, sipas tij, ai dhe Shqipëria e kaluan këtë test pikërisht duke kaluar fazën e grupeve.
"Absolutisht që nuk kemi frikë! Aspak! Mirëpo, duke qenë se marrim pjesë për herë të parë, na mbetet për detyrë që të japim shumë më shumë nga sa kemi mundësi. Vetëm kështu mund t'ia dalim, pasi të gjithë e kanë të qartë se përvojë në të tilla evenimente nuk kemi.
Kualifikueset ishin jo vetëm një tregues i asaj çfarë ne mund të arrijmë, por mbi të gjitha edhe test mjaft i mirë për vetë ne dhe forcat tona. Kam besim se ashtu siç vepruam gjatë tyre, duke punuar fort dhe duke qenë të kujdesshëm në çdo ndeshje, mund të bëjmë një ecuri të mirë edhe në Europian", shtoi mesfushori.
Rikuperimi
Kukeli flet edhe për riaftësimin, teksa zbulon se ka pasur mall për fushën e blertë. "Kam qenë disa muaj i dëmtuar, ku tre apo katër muaj nuk kam arritur që të jem fare në fushë. Kjo më bëri që të humbas edhe grumbullimin e fundit të Kombëtares.
Normalisht që më kanë munguar ndeshjet dhe tashmë që e kam nisur fatmirësisht nuk m'u desh shumë që të rigjeja formën më të mirë. E ndiej veten mirë dhe tashmë jam rikthyer në ritmin normal", u shpreh gjakovari i kuqezinjve, i cili nuk heziton që të rrëfejë edhe objektivin personal:
"Qëllimi është që të luaj sa më mirë me ekipin dhe që të jem maksimalisht gati për nivelin e Europianit". Sakaq, ai shfaq bindjen se Zyrihu, skuadra e tij, do të shpëtojë nga rënia dhe do fitojë trofe këtë sezon. "Kam bindje që do të sigurojmë mbijetesën. Gjithashtu, jemi edhe në finalen e Kupës dhe kam besim se do të arrijmë që t'i sigurojmë të dy objektivat: qëndrimin dhe fitimin e kupës".