e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Kufijte detare, Greqia i kerkon Berishes vulosjen e marreveshjes

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Kufijte detare, Greqia i kerkon Berishes vulosjen e marreveshjes
Greqia zyrtare nuk heq dorë nga përcaktimi i kufijve detarë me Shqipërinë. Pas bujës që bëri marrëveshja dhe pas anulimit të saj nga Gjykata Kushtetuese, veprim i cili u duk se e mbylli përfundimisht këtë çështje, shteti grek rikthehet edhe njëherë në të njëjtin pikësynim. Sekretarin e Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme të Greqisë, ambasadori Yannis-Alexios Zepos ka zhvilluar dje një takim me kryeministrin Sali Berisha, ku dy çështjet kryesore kanë qenë kufijtë dhe incidenti që ndodhi disa ditë më parë në Himarë.

Takimi

Marrëveshja e kufijve detarë me Greqinë është risjellë edhe njëherë në vëmendje nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme të Greqisë, ambasadori Yannis-Alexios Zepos gjatë një takimi të zhvilluar me shefin e qeverisë shqiptare. Çështja e parë që diplomati grek diskutoi me Berishën ishte shqetësimi i qeverise greke se cili do të ishte fati i marrëveshjes së ujërave territoriale, duke e vlerësuar këtë si një marrëveshje shumë të mirë e rigoroze. Diplomati i huaj thekson se pala greke shpreson që edhe për këtë çështje të arrihet në një zgjidhje sa më të shpejtë. Kjo kërkesë hë për hë është kaluar në heshtje nga shefi i qeverisë. Ndërsa shqetësimi i dytë i ambasadorit lidhej me ngjarjen e ndodhur në Himarë disa ditë më parë, ku mbeti i vrarë i riu Aristotel Guma,  të cilën e ai e konsideroi si një akt individësh të frymëzuar nga ndjenja nacionaliste. Më tej Ambasadori Zepos i rishprehu Kryeministrit Berisha qëndrimin e qeverisë greke në mbështetje të plotë të integrimit sa më të shpejtë të Shqipërisë në BE. “Greqia, -u shpreh ai-, mbështet fuqishëm heqjen sa më shpejt të vizave për qytetarët shqiptarë, e cila do të mundësojë lëvizjen e tyre të lirë në hapësirën evropiane, si të barabartë me qytetarët e tjerë të BE-së. Ne jemi shumë të lumtur për marrëdhënien e ngushtë që ekziston midis dy vendeve dhe ndjenjat e miqësisë që ruajnë të dy popujt fqinj e miq”.

Rrëzimi i paktit ujor

Në janar të këtij viti, Gjykata Kushtetuese ka vulosur fatin e marrëveshjes për kufijtë detar me Greqinë, duke e rrëzuar atë me shumicë votash. Marrëveshja në fjalë është konsideruar në tërësinë e saj si antikushtetuese dhe në kundërshtim me interesat territoriale dhe ekonomike të vendit tonë, pa dhënë detaje të mëtejshme lidhur me pikat e kontestuara. Marrëveshja ishte çuar në Gjykatë me kërkesën e Partisë Socialiste. Tashmë pritet edhe një “valë” tjetër debatesh lidhur me këtë çështje.

Ku konsiston marrëveshja detare me Greqinë

Marrëveshja mes Shqipërisë dhe Greqisë është firmosur në Tiranë në prill 2009 nga ish-ministrat e Jashtëm, Lulzim Basha dhe Dora Bakojanis, dhe në praninë e kryeministrave, ai shqiptar Berisha dhe ai grek Karamanlis. Sipas ministrisë së Jashtme, për të arritur deri te firmosja e marrëveshjes ishin dashur rreth 2 vite bisedimesh, për të cilat qeveria shqiptare i ishte përgjigjur kërkesës së qeverisë greke për përcaktimin e kufijve detarë dhe delimitimin e sheflit kontinental. Sipas variantit të palës shqiptare, kufiri ujor ishte ndarë në masë të barabartë për të dyja shtetet me rreth 150 pika ndarëse (nga Korfuzi deri në Vlorë) dhe e vetmja pikë, e cila nuk ishte përcaktuar, por që pritej të merrte përgjigje të shpejtë ishte ajo, ku ujërat detare bashkojnë të tria vendet, Shqipërinë, Greqinë dhe Italinë. Kryenegociator i palës shqiptare ka qenë sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme, Ferit Hoxha, ndërsa për palën greke ka qenë këshilltari special i ministres Bakojanis, Xhorxh Savaides."Kufiri detar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë do të caktohet në përputhje me parimin e baraslargësisë.

Në mënyrë më specifike, vetëdija e delimitimit do të jetë vija e mesme, çdo pikë e së cilës është e baraslarguar nga pikat më të afërta të vijës bazë (si kontinentale ashtu edhe ishullore), nga e cila matet gjerësia e ujërave territoriale detare", thuhej në nenin 1 të marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë "për delimitimin e zonave të tyre përkatëse të shelfit kontinental dhe të zonave të tjera detare, që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare".  Sipas matjeve, ka rezultuar se pika 30 është larg nga Kepi i Stillos në distancën 2.4 km dhe nga Korfuzi i Greqisë me distancën 9.6 km ç'ka tregon se shteti helen ka përfituar vetëm në këtë pikë nga marrëveshja 7.2 km det. Po kështu, edhe pika 100, e cila është larg nga Kepi i Qefalit në Shqipëri në distancën 11 km, kurse nga ishulli i Erikuzës në Greqi në distancën 15.6 km.