Kualifikohet 'brezi i arte' belg, me Rusine vendos perseri stoli
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Nuk është rastësi pse grupi aktual i Belgjikës cilësohet si “brezi i artë” për futbollin e këtij vendi. “Djajtë e kuq” kanë siguruar kalimin në turin tjetër të Botërorit, duke fituar edhe ndeshjen e dytë, atë ndaj skuadrës që cilësohej si rivali kryesor në grup, Rusisë. Ajo që ka rënë në sy përsëri nuk është vetëm cilësia e individëve në dispozicion të Mark Vilmots, por edhe mundësisë që ka trajneri belg për të ndryshuar gjërat në lojën e skuadrës së tij, me elementë shumë cilësorë në stol që bënë diferencën edhe në këtë ndeshje, ashtu si kundër Algjerisë. Ndërsa Rusia tregoi përsëri se është shumë mbrapa në krahasim me pretendimet që kishte trajneri Fabio Kapelo dhe planin afatgjatë që ka kjo kombëtare për t’u paraqitur në mënyrë dinjitoze në Botërorin e ardhshëm, i cili organizohet pikërisht nga ky vend.
Vilmots kishte aktivizuar që nga minuta e parë dyshen Fellaini-Mertens, që zgjidhi ndeshjen kundër Algjerisë. Në minutat e para, të ndihmuar nga Hazard dhe De Bruyn, ata ndihmuan Belgjikën të dominonte në lojë, duke kërkuar vazhdimisht të gjejnë rrugën e rrjetës, edhe pse tentativat drejt kuadratit nuk janë të shumta. Nga ana tjetër, skuadra e Kapelos duket shumë e ngurtë me manovrën e saj dhe nuk arrin të krijojë raste domethënëse, duke qëndruar në pritje. Megjithatë, me kalimin e minutave, loja e belgëve fillon të zbehet, falë edhe inaktivitetit të Lukaku, që është thuajse gjithmonë i izoluar nga pjesa tjetër e ekipit, pa marrë pjesë në manovrën sulmuese dhe duke e penalizuar atë ndjeshëm. Kjo bën që Rusia të rritë ritmin e saj dhe me Kokorin t’i afrohet disa herë golit të avantazhit.
Por ky ishte vetëm një iluzion për skuadrën e Kapelos, pasi Vilmots peshkon përsëri me saktësi zëvendësimet e duhura për të ndryshuar fatet e sfidës. Fushën e lojës e lënë Lukaku e Mertens, për t’u zëvendësuar nga Origi dhe Mirajas, të cilët garantojnë përsëri mbajtjen e topit për skuadrën belge dhe ndryshojnë fatet e sfidës. Është Mirajas që jep sinjalin e parë, duke gjuajtur shtyllën, ndërsa edhe Hazard zgjohet pas një përgjumjeje të gjatë në fushë, duke iu kthyer driblimeve të tij të zakonshme dhe aksioneve me shpejtësi të lartë. Kurse 19-vjeçari Origi konfirmohet si një sulmues shumë premtues për të ardhmen e kësaj kombëtareje, duke finalizuar me saktësi rastin e parë që iu shfaq, në minutën e 88 të ndeshjes. Hazard bën gjithçka mirë në krahun e majtë, duke arritur deri në fundore. Pasimi për Origi është perfekt, ashtu si gjuajtja e sulmuesit që mposht Akinfeev, i cili vetëm arrin të devijojë lehtësisht topin që prehet në rrjetë.
Kaq i mjafton Belgjikës që të bëhet gati për turin tjetër të turneut, me Vilmots që do të ketë mundësinë të testojë në ndeshjen e fundit lojtarët që nuk kanë luajtur, mes të cilëve edhe Januzajn. Pikërisht prania e shumë lojtarëve të një cilësie të tillë që qëndrojnë në stolin e rezervave, i bën “djajtë e kuq” një prej formacioneve më të paparashikueshme mes atyre që kanë kaluar në turin tjetër. Ndërsa Rusia ka një ndeshje për jetë a vdekje kundër Algjerisë, ku vetëm fitorja mund të garantojë kalimin në turin me eliminim direkt.
100 Ndeshje
Për portierin 22-vjeçar belg, Tibo Kurtua, kjo ishte ndeshja e 100 në karrierë që mbyll me rrjetën e paprekur, në 218 të tilla të luajtura si profesionist me kombëtare apo klub
Polemika
Maradona fyen ish-shefin Grandona
Diego Maradona i është kundërpërgjigjur në mënyrë shumë vulgare presidentit të Federatës Argjentinase, Hulio Grandona, i cili u tall me “El Pibe De Oro” pas përfundimit të ndeshjes me Iranin. “Fituam ndeshjen kur tersi u largua nga stadiumi”, tha ai për Maradonën, i cili nuk ka vonuar t’i përgjigjet në mënyrën e tij gjatë emisionit televiziv “Va de Zurda”, ku ai është një opinionist rreth Botërorit. “Dikush tha që goli që bëri Mesi ishte për arsye që i dinte ai. Budallai i shkretë. Gjithçka ishte meritë e Leo Mesit”, tha Maradona, duke nxjerrë gishtin e mesit para kamerave televizive. “Grandonës i them se ato që kam arritur në jetë, i kam bërë duke punuar. Ndërsa gjërat që ka arritur ai, janë vetëm falë FIFA-s”, tha Maradona.
Incidenti
Tifozët gjermanë akuzohen për racizëm
Ndonëse FIFA ka ndërmarrë një fushatë të gjerë kundër racizmit në futboll, një gjë e tillë nuk po funksionon gjatë Botërorit 2014. Fillimisht u përfol për slogane neonaziste gjatë ndeshjeve të Rusisë e Kroacisë, por ngjarjet më të dallueshme ishin ato gjatë ndeshjes Gjermani-Gana. Një tifoz që mbante një slogan pro nazizmit hyri në fushë i pashqetësuar gjatë kësaj ndeshjeje dhe u largua vetëm pasi takoi ganezin Sullei Muntari. Njëkohësisht, në rrjetet sociale filloi të qarkullonte një foto në stadium e dy tifozëve gjermanë, të cilët kishin lyer fytyrën me ngjyrë të zezë dhe mbanin një fanellë me mbishkrimin Gana. Pas kritikave publike, FIFA deklaroi se po hetonte këto ngjarje, por nuk dihet se çfarë masash mund të merren në raste të tilla.
Belgjikë 1
88’ Origi
Rusi 0
Belgjika: Kurtua, Alderuiereld, Van Bujten, Kompani, Vermaelen (30’ Vertongen), Vitsel, Fellaini, Mertens (75’ Mirajas), De Bruyn, Hazard, Lukaku (55’ Origi).
Tr.: M. Vilmots
Rusia: Akinfeev, Kozlov (65’ Eshçenko), Berezutski, Ignasheviç, Kombarov, Glushakov, Faizulin , Samedov (90’ Kerzhakov), Kanunikov, Shatov (83’ Xhagoev), Kokorin.
Tr.: F. Kapelo
KV: Alderueireld, Vitsel / Glushakov
Gjyqtar: Feliks Brysh (Gjermani)