Kualifikohen Laci e Flamurtari, Kukesi jo
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Laçi dhe Flamurtari do të vazhdojnë aventurën e tyre në Europa League, ndërsa Kukësi nuk do të ketë mundësinë të përsëritë mrekullitë e një sezoni më parë. Ky është bilanci i ndeshjeve të turit të parë paraeliminator të këtij turneu për skuadrat shqiptare, të cilat kanë djersitur deri në sekondën e fundit për të siguruar biletën për turin tjetër.
Pasditja europiane ka filluar me Laçin, që zhvillonte për herë të parë në stadiumin e vet një ndeshje europiane. Skuadra kurbinase, që kishte mbyllur në barazim 1-1 sfidën e parë në transfertë, ka dominuar ndeshjen, ka gjetur avantazhin me Adeni dhe më pas ka shpërdoruar raste të shumta për të dyfishuar rezultatin e mbyllur kualifikimin. Por, pikërisht kur nuk pritej, sllovenët e Rudar kanë barazuar rezultatin, në minutën e 93 të sfidës. Edhe në shtesa nuk ndryshoi asgjë, duke bërë që ekipet t’u drejtoheshin gjuajtjeve nga pika e bardhë e 11-metërshave. Aty ra në sy paraqitja e shkëlqyer e portierit Vujadinoviç, i cili priti tri gjuajtjet e para të ekipit slloven, duke i dhënë mundësinë skuadrës së Laçit të kalonte për herë të parë një tur në Europë, edhe pse Zefi dhe Teqja gabuan goditjet e tyre nga pika e bardhë. Për kurbinasit, sfida e radhës do të jetë ndaj ekipit ukrainas të Zorias, që mbylli sezonin në vendin e 7 në kampionatin vendas.
Ndeshja e dytë ka qenë ajo mes Flamurtarit dhe gjeorgjianëve të Sioni Bolnisi në Vlorë, ku skuadra shqiptare hynte në fushë me sigurinë e suksesit në transfertë në ndeshjen e parë me rezultatin 3-2. Por, në takimin e kthimit, Sioni ka dominuar në lojën e vet dhe po i shkonte shumë pranë një kualifikimi historik pas dy golave të shënuar në portën e Ilion Likës. Megjithatë, për të mbajtur në këtë aktivitet skuadrën e Ernest Gjokës, ka menduar Ardit Shehaj, i aktivizuar si zëvendësues, i cili ka shënuar për vlonjatët në minutën e 85. Ndonëse takimi u mbyll me humbjen 2-1, Flamurtari është kualifikuar falë rregullit të golit jashtë fushe, ndërsa në turin tjetër ka përballë rumunët e Petrolul Ploieshti. Këta të fundit e mbyllën kampionatin në vendin e tretë në edicionin e kaluar.
Kukësi nuk ka arritur të përsëritë mrekullitë e një viti më parë, kur hynte në historinë e futbollit shqiptar duke kaluar tri ture në Europa League. Kuksianët u mundën minimalisht në ndeshjen e parë përballë kazakëve të Kairat Almati. Por, në takimin e kthimit, të penalizuar edhe nga terreni krejtësisht i papërshtatshëm i stadiumit “Qemal Stafa”, ata nuk kanë arritur të shfaqin një lojë cilësore dhe me barazimin 0-0, i kanë dhënë lamtumirën turneut. Por, pavarësisht eliminimit të Kukësit, barazimi i kësaj ndeshjeje dhe kalimi i dy skuadrave shqiptare në turin tjetër të Europa League, pritet të rritë koeficientin e Shqipërisë në UEFA. Si rrjedhojë, do të rritet mundësia për praninë në një vazo më të mirë të ekipeve shqiptare gjatë shortit në edicionin e ardhshëm të Kupave të Europës.
Europa League
Turi i parë
Laçi-Rudar 1-1 (1-1)
58’ Adeni / 90’+3’ Eteroviç
Penalltitë 3-2
Flamurtari-Sioni B. 1-2 (3-2)
85’ Shehaj / 56’ Ugulava, 83’ (ag) Kuqi
Kukësi-Kairat 0-0 (0-1)
*Në kllapa, ndeshjet e para
Turi i dytë
17-23.07.2014
Laçi-Zoria
Petrolul-Flamurtari