e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Kthimi ne realitet pas perfundimit te boterorit

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Kthimi ne realitet pas perfundimit te boterorit

I gjithë globi për më shumë se një muaj u mbërthye përpara televizionit, nëpër bare, birrari apo dhe në vende të hapura për të shijuar spektaklin madhështor që ofroi botërori i Sambas. Mbërritja e kupës së botës në Gjermani, vendin fitues të këtij trofeu ishte dhe episodi i fundit i një botërori që surprizoi nga zbritja e Australisë në kontinentin latin deri në sekondën e fundit. Përdorimi i teknologjisë për të mënjanuar golat fantazmë, përdorimi i sprait për të respektuar distancën mes murit mbrojtës dhe topit gjatë goditjeve të dënimit janë dy nga risitë e para dhe revolucionet që ofroi ky botëror. Protestat dhe frika se stadiumet nuk do të ishin në kohë është ankthi që kaloi shpejt dhe u harrua që prej gabimit të parë që bënë gjyqtarët.

Po ashtu eliminimi i shumë prej skuadrave pretendente, si Italia, Anglia, Spanja..etj, ishte një nga treguesit e parë se botërori i sambas ishte krijuar për të surprizuar. Gjermania arriti të tregojë që në ndeshjen e parë që ishte  një skuadër e ndërtuar për të fituar. Ajo nisi me një debutim fantastik, 4-0 ndaj Portugalisë duke lënë skuadrën e  Christiano Ronaldos të shokuar dhe duke e çuar atë drejt eliminimit. Fitorja e vuajtur e Brazilit me Kroacinë në ndeshjen e parë ishte një tregues tjetër se skuadrat e koncepti i skuadrave të mëdha dhe të vogla nuk ishte e pjesë e sambas latine.

Kosta Rika ishte surpriza më e këndshme e këtij botërori. Ajo surprizoi që prej ndeshjes së parë, kur mundi Uruguain 3-1 dhe më tej habiti me fitoren 1-0 ndaj Italisë. Skuadra e Amerikës Qendrore arriti deri në tetë skuadrat më të mira në botë, por u eliminua nga Holanda. Rezultati më surprizë i këtij botërori që do të mbahet mend gjatë është fitorja e skuadrës Gjermane ndaj Brazilit, duke thërrmuar ëndrrat e brazilianëve për të ngritur kupën e botës në shtëpinë e tyre. Gjermania arriti të pushtonte Rio-n pas  një fitore 7-1 ndaj Brazilit në gjysmë finale dhe 1-0 ndaj Argjentinës në finale. Botërori i Brazilit do të mbahet mend për polemikat e shumta mbi arbitrat dhe furtunën që ra mbi FIFA-n, e cila u akuza për korrupsion sa i takon biletave apo dhe  për përzgjedhjen padrejtësisht të Katarit si organizatore të botërorit të vitit 2022.

Por, pavarësisht të gjithave, pavarësisht temperaturave të larta në Brazil, botërori i Amerikës Latine do të mbahet mend si kampionati që miliona njerëz në të gjithë botën  ëndërruan së bashku me heronjtë e tyre në fushë. Në fund Gjermania arriti të mbajë lart flamurin e kontinentit të vjetër në luftën me latinët. Tashmë të gjithë sportdashësit po i kthehen realitetit, merkato e futbollistëve dhe lëvizjet e bujshme të lojtarëve po marrin faqet e para të faqeve sportive, ndërsa dhe kompanive turistike në kontinentin europian, por jo vetëm po i rikthehet buzëqeshja, pasi bota u ndal për një muaj, por tani që mbaroi botërori globi rinisi të lëvizë dhe tashmë të gjithë i drejtohen plazheve dhe vendeve më të bukura turistike, ndërsa futbollistët dhe specialistët e futbollit tashmë po përgatiten për sezonin e ri.