e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Kthehet spektakli i futbollit europian

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Kthehet spektakli i futbollit europian

Liga e Kampioneve kthehet sot me magjinë e saj, me klubet më të njohura të futbollit në kontinentin europian që nisin përplasjet mes tyre për të siguruar atë që është padyshim trofeu më prestigjioz për klube. Një rrugëtim drejt Lisbonës, aty ku më 24 maj do të luhet finalja e madhe, për të mësuar emrin që do të shkruhet në trofe pas atij të Bajern Mynih, që siguroi kupën rreth pesë muaj më parë. Bavarezët janë një nga skuadrat që do të zbresin në fushë që sonte, për të bërë hapjen e fazës në grupe, kur pritet shiriti i nisjes së një gare që për muaj me radhë do të mbërthejë para ekraneve të televizorëve me qindra miliona teleshikues në të gjithë botën.

Shorti i hedhur një muaj më parë ka përcaktuar përballje shumë interesante mes 32 skuadrave të shpërndara në 8 grupet e këtij turneu. Shumë interesante është përballja e sotme ku Mançester Junajtid luan kundër Bajer Leverkusen, në atë që është sfida e debutimit për David Mojes në këtë arenë prestigjioze. Tekniku skocez do të mundohet të përsërisë sukseset e paraardhësit të tij, Aleks Ferguson, i cili ka fituar dy herë trofeun gjatë viteve të drejtimit të “djajve të kuq”, skuadër që merr pjesë në këtë fazë të turneut për të 18-in vit radhazi. Ndërkohë, Real Sociedad kthehet për herë të dytë në këtë fazë, 10 vite pas herës së parë kur ata luajtën në fazën në grupe.

Grupi B do të dhurojë që sot një nga përplasjet më interesante, pasi Gallatasaraj pret në Stamboll spanjollët e Real Madrid. Kristiano Ronaldo, i cili sapo zgjati kontratën e tij me madrilenët, si dhe Garet Beil, do të vihen kundër armatës turke, ku luajnë emra si Drogba e Shnajder, e cila një vit më parë i vuri në vështirësi serioze gjatë çerekfinaleve të këtij turneu. “Real nuk ka arritur në finalen e Ligës së Kampioneve që nga viti 2002 dhe kjo është e pabesueshme duke parë se çfarë klubi është. Mendoj se ka kaluar shumë kohë për një klub të këtyre përmasave”, ishte paralajmërimi i qartë i Karlo Ançelotit, i cili i ka ngulur sytë asaj që madrilenët e quajnë “La Decima”. Faktin se spanjollët janë pretendentë për fitoren e trofeut e pranojnë edhe rivalët e tjerë në këtë grup, italianët e Juventusit. “Reali është padyshim favorit, pastaj jemi ne dhe Gallatasaraj. Fitorja e trofeut? Për momentin kemi fituar respektin e kundërshtarëve, por nuk jemi mes pretendentëve kryesorë”, ishin fjalët e trajnerit të italianëve, Antonio Konte, i cili shpreson që skuadra të arrijë një rezultat më të mirë ndaj Kopenhagën në transfertë në krahasim me barazimin e vuajtur 1-1 në kryeqytetin danez në vitin e kaluar përballë Nordsjelland.

Grupi C sheh të zbresë në fushë një tjetër pretendent për fitoren e këtij trofeu, Paris Sent Zhërmen. Skuadra franceze ka vazhduar të investojë shifra të rëndësishme në merkato, siç e tregon afrimi i sulmuesit uruguaian Edinson Kavani, i cili përkrah Zlatan Ibrahimoviç do të krijojë një dyshe të frikshme për cilëndo mbrojtje në Europë. Kampionët e Francës luajnë në transfertë në Athinë ndaj Olimpiakosit, por janë padyshim favoritët për të kaluar grupin në vendin e parë. Ekipi grek bashkë me Benfikën dhe Anderlehtin, vlerësohen sikur kanë shanse të barabarta për t’u renditur të dytët dhe për të prerë biletën për në fazën tjetër.

Edhe kampionët në fuqi të turneut, Bajern Mynih, do të zbresin sonte në fushë, me Pep Guardiolën që do të kthehet në arenën më të famshme europiane, aty ku fitoi statusin e një prej trajnerëve më të mirë në qarkullim falë sukseseve me Barçën. Prova e parë e spanjollit, ndaj CSKA Moskës, pritet me padurim nga tifozeria bavareze, e ndërgjegjshme se një hap i gabuar mund të komplikojë një grup në të cilin gjendet edhe një tjetër gjigant i futbollit europian, Mançester Siti, i drejtuar nga Manuel Pelegrini. Ky i fundit ka si objektiv të thyejë mallkimin e sezoneve të kaluara ku skuadra nuk kalonte dot fazën në grupe të turneut dhe nëse arrin ta bëjë këtë duke u renditur para Bajern Mynih, do të ishte një “bonus” i jashtëzakonshëm.

Nëse nata e së martës nuk ju kënaq, e mërkura është po aq entuziazmuese. Napoli-Borusia Dormtund dhe Barcelona-Ajaks janë vetëm dy nga përballjet që vënë përballë shkollat e ndryshme të futbollit europian, një nga arsyet pse Liga e Kampioneve është kthyer në turneun futbollistik për klube më të ndjekur në rruzullin tokësor.

Grupi A

Mançester Junajtid-Bajer Leverkusen

Real Sociedad-Shakhtar Donjetsk

Grupi B

Gallatasaraj-Real Madrid

Kopenhagë-Juventus

Grupi C

Benfika-Anderleht

Olimpiakos-PSZH

Grupi D

Bajern Mynih-CSKA Moskë

Viktoria Plzen-Mançester Siti

Nesër

Grupi E

Shalke-Steaua Bukuresht

Çelsi-Bazel

Grupi F

Olimpik Marsejë-Arsenal

Napoli-Borusia Dortmund

Grupi G

Austria Vjenë-Porto

Atletiko Madrid-Zenit

Grupi H

Milan-Sëlltik

Barcelona-Ajaks