e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Krujf kritikon: Van Marvijk u tregua burracak

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Krujf kritikon: Van Marvijk u tregua burracak
Humbja me Danimarkën i ka tronditur ndjeshëm pozitat e trajnerit të Holandës, Bert van Marvijk. Fillimisht u kritikua nga Huntelar, kurse tani nga Johan Krujf, i cili nuk i ka kursyer pakënaqësitë për zgjedhjet që bëri kreu i pankinës së “tulipanëve”.

“Holanda shpërdoroi shumë ndaj Danimarkës, dhe kjo u pa nga të gjithë. Megjithatë unë mendoj se ka qenë trajneri Van Marvijk përgjegjësi kryesor për humbjen. Ishte ai që gaboi me zgjedhjet që bëri për sa i përket formacionit. Ishte e palogjikshme që kundër një skuadre që vetëm mbrohet, ai luajti me dy mesfushorë mbrojtës si De Jong dhe Van Bomel. Asnjëri prej tyre nuk ka fantazi dhe ishte e panevojshme që të luanin të dy, duke ditur që danezët nuk ushtronin presing në mesfushë.

Me atë lëvizje u tregua frikacak, dhe pikërisht kjo i kushtoi. Do kishte qenë ideale që së bashku me Van Bomelin ose Dejongun (njërin prej tyre) të luante Shnajderi. Ndërkohë, pas Van Persit të aktivizohej Van der Varti. Vetëm në këtë mënyrë sulmuesi kryesor do kishte pasur mbështetjen e duhur dhe do kishte marrë më shumë pasime të sakta dhe rrjedhimisht edhe raste për shënim, – tha Krujf. – Uesi Shnajder duhet të luante si gjysmësulmues apo mesfushor i avancuar, por duke ditur që asnjë prej lojtarëve të tjerë nuk dinte ta organizonte lojën, kthehej të merrte topin në gjysmëfushë dhe njëkohësisht të luante 25 metra larg Van Persit.

Kjo u kuptua që në minutat e para kur nuk po funksiononte, por Van Marvijk nuk ndryshoi asgjë. Madje, ai vendosi të bëjë zëvendësime shumë vonë, atëherë kur i vetmi synim i mbetur ishte që të evitonin humbjen. Kjo është e patolerueshme për një kombëtare si Holanda”, – shtoi legjenda Krujf.

Van Bomel: Të luajmë shëmtuar, por të fitojmë

Kapiteni i Holandës, Mark Van Bomel, nuk arrin ende të shpjegojë humbjen me Danimarkën. “Nuk di çfarë ndodhi. Van Persi humbi dy raste mjaft të mira për shënim. Afelaj m’u duk se ishte krejt i hutuar. Krijuam volum të madh loje, por në fund nuk morëm dot as edhe një barazim. Tani kemi përballë Gjermaninë, një prej skuadrave më të mira të botës. Unë do preferoja që të luanim shumë më keq sesa ndaj Danimarkës vetëm të fitonim të paktën 1-0. Na duhet rezultati, pasi është ai që vlen në fund të ndeshjes dhe jo loja e mirë që shpalosëm ndaj danezëve, prej nga ku ishim ne ata që dolëm kokulur. Jam i sigurt se kjo skuadër e ka potencialin për të bërë mirë dhe ne mund të fitojmë ndaj gjermanëve”, – ka thënë kapiteni.

Matijsen riaftësohet, titullar ndaj gjermanëve

Joris Matijsen do të jetë në fushë nga minuta e parë në ndeshjen ndaj Gjermanisë. Sipas mediave holandeze, ai është i vetmi lojtar që mund t’i japë siguri repartit të mbrojtjes duke pasur parasysh se gjermanët kanë një sulm të frikshëm. Mbrojtësi ka qenë i dëmtuar, por në dy ditët e fundit ai është stërvitur rregullisht, ndaj me shumë gjasa do të jetë titullar në takimin e nesërm, ndërkohë që në stol me shumë mundësi do të ulet Ron Vlar. Sakaq trajneri Van Marvjik ka qetësuar tifozët holandezë edhe për Afelajin, i cili doli i dëmtuar nga ndeshja me danezët. Mesfushori i avancuar i Barcelonës ka qenë në dispozicion të teknikut në stërvitjen e djeshme.