Kros kundër Mylerit për motivimin në miqësore
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Pavarësisht triumfit historik kundër Italisë (21 vite pa e mundur), nuk mungojnë polemikat në shtëpinë e kampionëve të botës.
Pas humbjes dramatike ndaj Anglisë në Berlin në miqësoren e së shtunës, Tomas Myler bëri një deklaratë që nuk i pëlqeu aspak opinionit sportiv vendës, madje pati nga ata që rrudhën buzët edhe brenda skuadrës së "pancerave".
"Është e vështirë që në një miqësore ne të nxjerrim karakterin tonë më të mirë. Këtu flas për veten. Ne lojtarët, ashtu si kombëtarja, nuk vijmë në këto ndeshje në 100%. Fatkeqësisht kjo nuk është diçka e re që po na ndodh këto ditë. Ne nuk prezantohemi asnjëherë shumë mirë në ndeshjet miqësore", u shpreh Myler, i cili në ndeshjen e tij të 70-të me fanellën e përfaqësueses gjermane e udhëhoqi atë për herë të parë si kapiten ndaj Italisë.
Por motivimi i Gjermanisë ndaj Italisë në "Allianz Arena" të martën, ishte i jashtëzakonshëm, madje sulmuesi i Bajernit dhuroi edhe asist në stadiumin e tij.
E kritikon Kros
Një deklaratë e tillë, përveç faktit që është kritikuar nga opinioni sportiv gjerman, nuk i ka tingëlluar mirë as shokut të skuadrës, Toni Kros. Autori i dy golave fantastikë ndaj Anglisë, por edhe ndaj Italisë në dy miqë- soret e fundit thumboi deklaratën ndoshta më shumë të sinqertë të Tomas Mylerit.
"Ndaj Italisë mendoj se e zgjidhëm çështjen e motivimit. Unë mendoj se e vendos personalisht çdo lojtar se si të prezantohet në një ndeshje miqësore. Kur unë jam në fushë, luaj për të fituar. Përndryshe, ekziston edhe mundësia që mund të qëndrosh në shtëpi", deklaroi mesfushori 26-vjeçar i Realit për mikrofonat e televizionit shtetëror "ARD".
Reagon Myler
Por i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Mylerit pas fitores ndaj të kaltërve. "Unë dua të deklaroj edhe një herë se njerëzit në Gjermani kanë problem me të vërtetën. Në të ardhmen do të përmbahem dhe them edhe ndonjë gënjeshtër të bardhë, sepse ndoshta kjo do të m'i bëjë dy ditët e ardhshme edhe më të lehta", tha Myler.
E mbron Shnajder
Në mbrojtje të kapitenit të Gjermanisë në miqësoret e fundit doli edhe zëvendëstrajneri i Gjermanisë, Tomas Shnajder. "Fakti që Tomas tregohet i sinqertë, është diçka që e nderon. Kjo nuk duhet të jetë gjithnjë kështu, por edhe ai është njerëzor", tha asistenti i Joakim Lëvit.