Kroacia gdhihet ne BE, nis kapitulli i ri
Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Kroacia u gdhi sot si anëtarja e 28-të e Bashkimit Europian, ku qindra e mijëra njerëz morën pjesë në ceremoninë festive në qendër të Zagrebit. Fishekzjarrët zbardhen qiellin e mesnatës, teksa Presidenti Ivo Jospoviç e përshkroi ngjarjen si historike, e cila vjen pas dy dekadave, që kur Kroacia udhëhoqi luftën e përgjakshme për pavarësi nga Jugosllavia.
Gjithsesi, entuziazmi për hyrjen në BE është zbehur nga kriza që kaloi eurozona, si edhe problemet e shumta ekonomike me të cilat po përballet vendi ballkanik.
Kapitull i ri
Festimet u mbajtën në sheshin qendror të Zagrebit, ku zunë vend fishekzjarrët dhe muzika, veçanërisht “Gëzimi” i kompozuar nga Bethoven, i cili është edhe himni i BE-së.
“Mirëserdhët në Bashkimin Europian”, tha Jose Manuel Barroso, President i Komisionit Europian, duke iu drejtuar turmës. Presidenti kroat, Josipoviç, e cilësoi si ditën më të madhe dhe më të gëzueshme të historisë së vendit.
“Kjo ditë shënon hapjen e një kapitulli të ri në librin e madh të historisë sonë”, shtoi ai. Më herët ai u tha liderëve të vendeve të BE-së se hyrja e Kroacisë në Bashkimin Europian konfirmoi se çdo vend i kontinentit të vjetër i përket vlerave kulturore dhe demokratike që ai manifeston.