Topi: Qytetaret moren vendimin per rotacion, fituesit te mbajne premtimet
Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Kryetari i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi në një deklaratë për shtyp sot pranoi rezultatin e zgjedhjeve dhe i kërkoifituesve që të mbajnë premtimet e bëra. Topi tha se FRD-ja do të vazhdojë të jetë forcë aktive opozitare. “Qytetarët në mënyrë masive morën vendimin tyre të qartë për rotacion politik. Vendimi i qytetarëve mund të komentohet, por nuk mund të diskutohet. Në emër të FRD-së shpreh publikisht njohjen e rezultatit të zgjedhjeve.
Ne urojmë fituesit e zgjedhjeve dhe i inkurajojmë të mbajnë premtimet e dhëna. Do të jemi forcë aktive opozitare në mbrojtje të interesit publik. Vendi ka nevojë për mirëqeverisje. Mirënjohje dhe respekt i veçantë u shkon më shumë se 30 mijë qytetarëve shqiptarë, që vendosën të besojnë FRD-në, votuan programin dhe kandidatët e saj. Mbi 10 mijë qytetarë të kryeqytetit zgjodhën FRD-në.
Pritshmëritë dhe pretendimet tona ishim më të mëdha. Sistemi zgjedhor nuk e mundësoi përkthimin e votave tona në mandate. Tashmë kemi detyrimin e më shumë se 30 mijë votuesve për ta çuar përpara misionin tonë politik”- deklaroi Topi. Ai vlerësoi dorëheqjen e Berishës nga pozitat drejtuese të PD-së, duke theksuar se ky vendim mund të konsiderohet si një hap pozitiv për nisjen e procesit të reformimit të të djathtës shqiptare.
“Gjej rastin të theksoj se FRD vlerëson se votat popullore ndëshkuese për arrogancën e pushtetit aktual, e penalizmit të të djathtës shqiptare. Si FRD dhe mijëra demokratë janë në opozitë dhe të ndëshkuar për shkak të modelit të keqqeverisjes, abuzimit me pushtetin dhe modelit klientelist të këtij pushteti. Vlerësoj dorëheqjen e kryetarit të PD-së nga pozitat aktive drejtuese dhe e shoh si një hap pozitiv për nisjen e një procesi të reflektimit dhe reformimit të të djathtës shqiptare”- u shpreh Topi.