Kritikat e mbeses se Berishes per kuqezinjte, bum ne mediet serbe: 'Dasara tha te verteten'
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Deklarata e Dasara Malltezit, mbesës së ish-kryeministrit, Sali Berisha, ku ajo kritikonte futbollistët shqiptarë për sjelljen në ndeshjen Serbi-Shqipëri, ka bërë jehonë edhe në Serbi. Mediet serbe janë ekzaltuar me deklaratat e "Supermbesës", madje ato pretendojnë se ajo "ka marrë kërcënime pas kritikave ndaj shqiptarëve".
Gazeta "Blic" shkruan se ajo ka marrë kërcënime dhe është detyruar që ta fshijë statusin ku kritikonte futbollistët shqiptarë. Sipas "Blic", mbesa e Sali Berishës ka thënë të vërtetën, se "futbollistët shqiptarë nuk respektuan rregullat e futbollit dhe u treguan të pacivilizuar".
Mediat serbe e kanë shpallur atë “heroinë”, pasi sipas tyre, mbesa e Berishës kishte thënë të vërtetën që nuk e tha asnjë shqiptar tjetër.
Deklaratën e saj e kanë publikuar si lajm kryesor mediet më të mëdha serbe si gazeta "Blic", "Telegraf", "Kurir" etj, duke i dhënë një hapësirë të rëndësishme.
“Nuk ju kuptoj, jeni krenarë sepse thyet rregullat dhe u zutë me grushta?! Kur nuk u lejuan flamurët, duhet të mësoni të respektoni rregullat dhe jo t'i fusni me lodra kalamajsh prapë në stadium, sepse kjo nuk është gjë tjetër veçse mungesë civilizimi. Nuk i lejojnë flamurët, e kanë rregull. I drejtë apo jo, fusha e futbollit nuk është gjykatë për të dhënë verdikt nëse është rregull i drejtë apo jo. Shkuat për të luajtur, atëherë luani jo të ziheni me grushta e shqelma. Plasët për të thënë se serbët janë të pacivilizuar, por harroni që jeni ju që nuk dinit të respektonit rregullat, jeni ju që u hodhët me grushta. Dhe në fund, sërish ju shfryni me duf kundër serbëve kinse për të treguar patriotizëm, por sharjet tuaja vetëm vend për krenari që nuk lënë. Kur ju të mësoheni që bota ka rregulla të cilat respektohen nga njerëzit normalë, atëherë po, mund të pretendoni se u është bërë padrejtësi, por deri atëherë nuk ka vend për krenari se thyet rregullat dhe se u zutë me grushta. P.S: Kujt nuk i pëlqen ky status, as mos të marrë mundimin të komentoje, nuk është se më hyjnë në xhep opinionet e kota”, shkruajti ajo pas ndeshjes.
Më pas, mbesa e Berishës u detyrua që ta fshijë këtë status, pas furtunës së kritikave të miqve të saj në "Facebook".