12 pikat me te cilat do te kerkohet e drejta tek UEFA
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Dy ditë nga ngjarjet e shëmtuara dhe dhuna në Beograd ndaj Kombëtares shqiptare, bëhen publike argumentet e Federatës Shqiptare të Futbollit që do të përdoren për të kërkuar drejtësinë nga UEFA. Përveç tri pikëve në tavolinë për Shqipërinë, pritet që UEFA të marrë masa të rrepta ndëshkuese ndaj Serbisë, si pritëse e ndeshjes dhe përgjegjëse për sigurinë fizike të lojtarëve dhe stafit teknik të Kombëtares sonë.
Ja 12 argumentet ku do të mbështetet Shqipëria:
1. Janë hedhur gurë në drejtim të autobusit që po transportonte kombëtaren shqiptare në stadium.
2. Në stadium, përpara se skuadra të dilte në nxehje një copë betoni ka goditur zyrtarë të lartë të Federatës Shqiptare. Prova zotërohet nga delegati i UEFA-s.
3. Në çdo moment kur lojtarët shqiptarë dilnin nga fusha shoqëroheshin me një kor agresiv nga shkallët e stadiumit.
4. Pas nxehjes, lojtarët u goditën me një breshëri monedhash, çakmakësh dhe sendesh të tjera ndërkohë që largoheshin nga fusha.
5. Gjatë gjithë nxehjes, lojtarët shqiptarë u shoqëruan nga kori i 30.000 të pranishmëve të cilët brohorisnin “Vritini shqiptarët” ose “Vdekje për shqiptarët”.
6. Tifozë të shumtë qëndronin mbi kangjella të pa shqetësuar nga forcat e policisë.
7. Përpara se të ekzekutoheshin himnet kombëtare banda muzikore luajti një marsh nacionalist, i cili nuk ishte pjesë e programit duke i dhënë udhë një shpërthimi nacionalist në stadium.
8. Himni shqiptar vërshëllehet në masë duke u bërë i padëgjueshëm për të pranishmit në tribuna dhe ata që e ndiqnin nga ekrani.
9. Në fushë janë hedhur gurë, sende të forta, çakmakë dhe fishekzjarrë, të cilat kanë ndikuar për keq në atmosferën e lojës dhe janë evidentuar nga pamjet filmike. Tre lojtarët që dolën në nxehje, pas fillimit të ndeshjes u goditën me sende të forta aq, sa zyrtarët e ndeshjes u detyruan që të ndërronin pozicionin e zhvillimit të saj.
10. Huliganë hyn në fushën e lojës duke goditur me karrige, grushte e shkelma futbollistët e kombëtares shqiptare, ndërsa më pas lojtarët u goditën edhe nga forca të sigurisë në stadium.
11. Gjate rrugës që të çon në tunelin e dhomave të zhveshjes, futbollistët shqiptarë, janë goditur vazhdimisht nga tifozë, forca të sigurisë në stadium dhe policë.
12. Gjithashtu, para se futbollistët shqiptarë të lejoheshin të dilnin nga stadiumi, me urdhër të Prokurorit te Beogradit (sipas deklaratës së policisë), i gjithë stafi dhe lojtarët e ekipit kombëtar u kontrolluan fizikisht një për një, së bashku me sendet personale.
Ngjarja po hetohet nga Komisioni Disiplinor i UEFA-s, ndërsa më datë 23 tetor do të jepet masa ndëshkimore për të dyja federatat.