Kristiano Ronaldo, nje makineri golash qe nuk di te ndalet
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Katër golat e shënuar nga Kristiano Ronaldo ndaj Elçe kanë plotësuar javën perfekte të portugezit dhe Real Madrid. Në 7 ditë, klubi ka fituar 3 sfida, duke shënuar 18 gola në total, ndërsa 8 prej tyre mbajnë firmën e portugezit, i cili kësisoj ka rihapur debatin nëse ai është apo jo golashënuesi më i mirë i të gjitha kohëve. Statistikat flasin vetë, pasi tashmë CR7 mban një numër të madh rekordesh në Spanjë e në Europë, ndërsa fakti se po i afrohet moshës 30-vjeçare, nuk duket se ka ndikuar aspak te rendimenti i tij.
Te Reali askush nuk kishte dyshime 5 vite më parë, kur u ble nga Mançester Junajtid, se ai do të hynte në historinë e klubit. Por ndoshta askush nuk kishte menduar se Ronaldo do t’i afrohej brenda një periudhe kaq të shkurtër rekordeve që lojtarë të tjerë të Realit kishin kaluar më shumë se një dekadë në fushë për t’i vendosur. Katër golat e shënuar të martën në darkë e çuan totalin e golave të Ronaldos në 264 të tillë të shënuar në 254 takime me klubin, duke qenë jo shumë larg rekordit të vendosur nga Raul, i cili ka shënuar 323 gola me fanellën e Realit. Por ajo që i bën të frikshme statistikat e Ronaldos është fakti se atij iu deshën 5 vite për t’iu afruar Raul, i cili kaloi 15 vite te Reali dhe iu desh të luante 741 ndeshje për të regjistruar këtë rekord. Një tjetër legjendë që shumë shpejt mund të kalohet nga numri 7 i Realit është edhe Alfredo Di Stefano, i cili mban rekordin e tregolëshave të shënuar në kampionatin spanjoll me 22 të tillë. Sulmuesi i shquar i viteve ‘50-‘60 e realizoi këtë rekord gjatë 11 viteve, ndërsa Ronaldos iu deshën vetëm 5 për të arritur kuotën e 21 tregolëshave, duke qenë vetëm një hap larg atij që cilësohet si lojtari simbol i klubit.
Ajo që u bën të gjithëve më shumë përshtypje është dëshira e lojtarit për të shënuar sa më shumë, duke dhënë maksimumin edhe atëherë kur ndeshjet janë të mbyllura dhe ekipi ka siguruar rezultatin. Zakonisht, lojtarët më të mirë kërkojnë zëvendësim, por jo Ronaldo, i cili ka një uri të jashtëzakonshme për të dërguar përsëri topin në rrjetë, arsye pse kërkon që të qëndrojë në fushë deri në minutën e fundit, atëherë kur është në formë të mirë fizike. Si rrjedhojë, arritja e shifrës së 12 golave në 8 ndeshje të realizuara në këtë sezon nga portugezi janë një mesazh i qartë për atë që pritet nga sulmuesi në këtë edicion, ku synon të kryesojë renditjet e golashënuesve në çdo aktivitet. Shumëkush mendon se Ronaldo është më shumë i përqendruar te Liga e Kampioneve, për t’u matur me më të mirët e çdo kampionati tjetër. Por duket se portugezi tani i ka vënë sytë rekordeve në Spanjë, ku që tani, me 186 gola në 169 ndeshje, është golashënuesi i 10 i të gjitha kohëve në këtë kampionat. Me këto ritme, brenda këtij sezoni, ai mund të ngjisë të paktën edhe 2-3 shkallë të tjera në rrugëtimin drejt rekordit të 251 golave që mbahet nga Telmo Zarra, për të lënë pas krahëve një tjetër legjendë.
Ndeshja e 13 radhazi në kampionat ku gjente rrugën e rrjetës, natyrshëm që ka kënaqur lojtarin. “Të shënosh katër gola është shumë e vështirë dhe jam i kënaqur, por është gjithçka çështje skuadre. Gjërat po më ecin mirë dhe për këtë duhet të falënderoj shokët e mi që më kanë ndihmuar kaq shumë. Kujt do t’ia jap topin? Djalit tim!”, ka deklaruar futbollisti portugez pas ndeshjes.
Disa nga rekordet që mban Ronaldo
Më shumë gola të shënuar në një sezon të Ligës së Kampioneve: 17
I vetmi lojtar që ka fituar Këpucën e Artë të Europës në dy kampionate të ndryshme (në Angli me Mançester Junajtid dhe Spanjë me Real Madrid)
Lojtari i parë që ka shënuar kundër çdo ekipi në La Liga në të njëjtin sezon
Lojtari që ka shënuar më shumë gola për Real Madrid në një sezon: 60
Më shumë tregolësha në një sezon për Real Madrid: 7
Lojtari që ka shënuar më shpejt 250 gola me fanellën e Real Madrid
Golashënuesi më i mirë i Portugalisë: 50 gola
Lojtari i parë që shënoi të paktën 40 gola në dy sezone radhazi në një kampionat profesionist
Ndeshje radhazi ku ka shënuar gola në Ligën e Kampioneve: 8
Gola të shënuar në fazën në grupe të Ligës së Kampioneve: 9
Numri më i madh i golave të shënuar në një vit kalendarik në Ligën e Kampioneve: 15
Lojtari i parë që shënon 10 a më shumë gola në tre sezone radhazi në Ligën e Kampioneve
Lojtari i parë që shënon për dy ekipe të ndryshme fituese të Ligës së Kampioneve: Mançester Junajtid dhe Real Madrid
Lojtari që ka shënuar më shumë gola në fazën me eliminim direkt të Ligës së Kampioneve: 34