e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Kosova fton edhe Lorik Canen ndaj Haitit

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Kosova fton edhe Lorik Canen ndaj Haitit

Federata Kosovare e Futbollit ka ftuar edhe kapitenin e Shqipërisë, Lorik Cana, për ndeshjen miqësore të 5 marsit. Lajmi është bërë i ditur nga mediat italiane (“sportevai.it”), sipas së cilave, vetë presidentja e Kosovës, Ahtifete Jahjaga, ka kërkuar që katër ambasadorët e futbollit kosovar: Adnan Januzaj, Xherdan Shaqiri, Valon Behrami dhe Lorik Cana të jenë prezent në këtë ndeshje.

Gjatë festimeve për 6-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, presidentja vlerësoi kontributin e këtyre futbollistëve në imazhin pozitiv që i kanë dhënë Kosovës në botë.

Sakaq, duhet thënë se bëhet fjalë për një ftesë simbolike dhe jo për një impenjim me kohë të plotë të këtyre katër lojtarëve me përfaqësuesen e Kosovës, pasi edhe vetë drejtuesit e shtetit më të ri në Europë e kanë të qartë se që të katër këta lojtarë, për momentin nuk shikojnë që të ndërrojnë ngjyrat e ekipeve kombëtare. Ca më pak Lorik Cana, i cili më shumë se një herë ka pohuar se do të qëndrojë deri në fund te Shqipëria, madje duke pohuar se ai është “për një komb, një kombëtare”.