e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Dyshja Mesi-Alvesh shtyn Barcen drejt cerekfinaleve

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Dyshja Mesi-Alvesh shtyn Barcen drejt cerekfinaleve

Barcelona ka arritur të marrë një fitore shumë të rëndësishme 2-0 në transfertë përballë Mançester Sitit, duke iu afruar kalimit në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve. Katalanasit kanë bërë një lojë cinike, duke përfituar nga pasiguritë e skuadrës së Pelegrinit dhe goditur pikërisht atëherë kur vendasit dukeshin sikur kishin gjithçka nën kontroll.

Ndeshja filloi nën zotërimin e pandalshëm të topit nga ana e ekipit spanjoll, por rastet më të mira për të shënuar regjistrohen nga ekipi vendas. Negredo vë dy herë në vështirësi Valdes, i cili rrezikon edhe me një dalje të gabuar, duke korrigjuar gjithçka para se gjuajtja e Kompani të kalonte vijën fatale të portës së tij. Sfida është e ekuilibruar, me dy skuadrat që duken të kujdesshme për të mos bërë gabime. Por minuta e 52-të praktikisht është vendimtare për fatin e sfidës. Demishelis shkakton penallti dhe ndëshkohet me të kuq për një faull ndaj Mesit, ndërsa ky i fundit më pas transformon qetësisht përballë Hart, duke kaluar skuadrën e tij në avantazh dhe thjeshtësuar gjithçka për katalanasit. Vendasit përpiqen në të gjitha mënyrat të kthejnë fatet e kësaj sfide, me Pelegrinin që aktivizon Nasri e më pas edhe Xheko. Por pikërisht kur Siti krijoi disa raste të njëpasnjëshme para portës së Barçës, vjen edhe goditja vdekjeprurëse e Barcelonës, pas një kombinimi Neimar-Alvesh, me këtë të fundit që kalon topin mes këmbëve të Hart, për të dyfishuar shifrat. 0-2 dhe gjithçka duket se flet për Barcelonën që në fushën e saj vështirë se mund të bëjë një gabim aq të madh sa për të rrezikuar kualifikimin.

Gjërat ishin edhe më të thjeshta në sfidën tjetër të luajtur dje, ku PSG ka mundur lehtësisht me rezultatin 4-0 skuadrën e Bajer Leverkusen, në fushën e këtyre të fundit. Francezët kanë dominuar plotësisht ndeshjen, duke kaluar shumë shpejt në avantazh falë Matuidi, një nga më të mirët në mesfushën e PSG. Në fundin e pjesës së parë vjen një ndëshkim i dyfishtë nga ana e Zlatan Ibrahimoviç. Suedezi realizon fillimisht nga pika e bardhë pas penalltisë së fituar nga Laveci, ndërsa më pas lëshon një goditje perfekte nga jashtë zonës për të mbyllur pjesën e parë me avantazhin 3-0. Kaq u mjafton parisienëve që më pas mendojnë të administrojnë qetësisht pjesën e dytë të sfidës. Çdo ëndërr për përmbysje të ekipit gjerman merr fund në minutën e 59-të të sfidës, kur Spahiç merr kartonin e dytë të verdhë duke lënë skuadrën e tij me 10 lojtarë. Nga ai moment, topi mbetet thuajse gjatë gjithë kohës në këmbët e lojtarëve të PSG-së që thjesht shtyjnë minutat. Publiku vendas nis festivalin e vërshëllimave, pasi nuk kishte imagjinuar një ndeshje krejtësisht të njëanshme në favor të miqve. Por edhe tifozët gjermanë filluan të duartrokisnin në momentin kur Kabaje shënoi golin e katërt për PSG në minutat e fundit të sfidës.

 

 

Liga e Kampioneve

M. Siti-Barcelona    0-2

54’ (p) Mesi, 90’ Alvesh

B. Leverkusen-PSG    0-4

3’ Matuidi, 39’ (p), 42’ Ibrahimoviç, 88’ Kabaje

Sot

Arsenal-B. Mynih

Milan-A. Madrid