e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Kosova, drite jeshile per Rio 2016

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Kosova, drite jeshile per Rio 2016

Miratimi - Kosova bëhet shteti i 205-të anëtar i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar

Qazim Laci - Mesfushori 18-vjeçar shqiptar vazhdon të jetë protagonist me Olimpiakos në UEFA Youth League. Futbollisti ka shënuar dje në suksesin 2-0 ndaj Malmoe, duke çuar në 4 numrin e golave të realizuar në këtë turne, ku ekipi grek është kualifikuar për fazën me eliminim direkt

Bekim Balaj - Spezia në Serinë B është vënë në ndjekje të sulmuesit të përfaqësueses shqiptare të futbollit. Drejtuesit e skuadrës që synon të ngjitet në sezonin e ardhshëm në Serinë A, janë gati të investojnë për të blerë Balajn nga Slavia Praga që në merkaton e janarit për rreth 400 mijë euro

Verona - Skuadra e Veronës në Serinë A po monitoron dy futbollistë të përfaqësueses shqiptare. Emri i parë është ai i Ermir Lenjanit, të cilit i përfundon kontrata me St. Galen. Edhe emri i dytë vjen nga kampionati zviceran, mesfushori i Grasshoper, Amir Abrashi.

Kosova do të ketë përfaqësuesit e saj në Lojërat Olimpike Rio 2016, pasi që nga dita e djeshme është zyrtarisht anëtari i 205-të me të drejta të plota i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC). Vendimi është marrë dje në Kongresin e 127-të të IOC që ka miratuar unanimisht pranimin e Kosovës, e cila ishte bërë anëtare e përkohshme në muajin tetor.

Mendohej se Kosova do të ndeshej të paktën me kundërshtimin e Serbisë, por ka qenë vetë presidenti i IOC, Tomas Bah, ai që ka theksuar se vendimi ka qenë unanim dhe të gjithë kanë rënë dakord që kjo lëvizje bëhej për të mirën e sportit kosovar. “Kemi zhvilluar konsultime me Komitetin Olimpik të Serbisë dhe vendeve të tjera të rajonit. Presidenti i Komitetit Olimpik Serb u shpreh se ai nuk ishte i lumtur me vendimin, por ai e pranon atë në interes të atletëve”, tha Bah para gazetarëve në fund të Kongresit, ku përsëriti se Kosova, pas 5 viteve “monitorim” plotësonte kushtet e Kartës Olimpike. “Tani ata mund të fillojnë të bëhen gati për të shkuar në Rio”, theksoi Bah.

“Kjo është një ditë e madhe, një ditë historike për atletët kosovarë”, ishin fjalët e presidentit të Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, para delegatëve të Kongresit. “Ky është fillimi i një epoke të re për lëvizjen olimpike në Kosovë. Ne kemi disa sportistë mjaft të mirë, të cilët në vitet e fundit kanë rrëmbyer medalje të arta Botërore apo edhe në Kampionatet Europiane. Është një shembull i mirë se çka mund të arrish përmes sportit dhe falë diplomacisë në sport”, tha ai.

Kosova ka shanse shumë të mëdha që në këtë olimpiadë të parë të saj, të arrijë të marrë një medalje me xhudisten Majlinda Kelmendi, e cila prej dy vitesh është dominuese absolute në turnetë europianë dhe botërorë. “Një ditë e madhe, historike për sportin e Kosovës dhe Kosovën si shtet. Unë kisha shumë emocione gjatë shpalljes së vendimit, isha në stërvitje, por erdha me vrap ta shoh”, deklaroi Kelmendi, Kampione e Botës prej dy vitesh radhazi. “Është një ditë të cilën sportistët e kanë pritur për një kohë të gjatë, e sidomos unë që jam diskriminuar. Tani do të jemi të barabartë me të tjerët në çdo eveniment sportiv. Sigurisht që ky është një motiv shtesë, më gëzon fakti se në Rio do ta përfaqësoj Kosovën, ku do të jemi një grup i sportistëve të Kosovës dhe shpresoj shumë se do të kemi sukses”, ishin fjalët e saj pas publikimit të vendimit.

Federatat Ndërkombëtare të Sporteve të ndryshme kanë filluar që dje të dërgonin mesazhe urimi për Komitetin Olimpik të Kosovës, si dhe të nisin procedurat për pranimin me të drejta të plota të Federatave Kosovare. Të vetmet reagime negative, ashtu siç pritej, kanë ardhur nga Serbia, ku ministri i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiç, e ka cilësuar këtë vendim si “të papranueshëm dhe në kundërshtim me Kartën Olimpike”. “Ky veprim është një abuzim dhe një politizim tendencioz i sportit. Edhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, si një organizatë universale që i përkushtohet zhvillimit të sportit dhe promovon mirëkuptim dhe miqësi, ka vendosur veten në pozicionin e një gjyqtari politik”, tha Daçiç.