Cikalleshi te Sampi, media italiane eshte e percare
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Çështja e kalimit të mundshëm të Sokol Cikalleshit te Sampdoria ka bërë lëmsh median italiane. Lajmin e bujshëm fillimisht e dha eksperti i merkatos së “Sky Italia”, Xhanluka Di Marzio, në një lidhje direkte nga sheshi “Nënë Tereza” me studion qendrore të platformës italiane pas ndeshjes derbi mes Partizanit dhe Tiranës. Gazetari i njohur italian bëri me dije se drejtori sportiv i Sampdorias, Karlo Osti, ndoqi derbin e Splitit për të vëzhguar nga afër bomberin kuqezi, i cili konsiderohet si pasardhësi i sulmuesit Manolo Gabiadini, i cili do të largohet me destinacion Napolin në merkaton e dimrit.
Di Marzio nuk dha detaje të tjera rreth zërave që e lidhin Cikalleshin me ekipin nga Xhenoa. “Drejtori sportiv i Sampdorias, Karlo Osti, ndoqi nga afër Cikalleshin në derbin Hajduk Split-NK Split, i cili mund të zëvendësojë Gabiadinin, edhe pse është një lojtar me karakteristika të ndryshme, por shumë i ri. Ai mund të rrisë numrin e kolonisë së lojtarëve shqiptarë në kampionatin italian, mes të cilëve, Hysaj, i cili konsiderohet këtu në Tiranë si një nga produktet më të mira të futbollit shqiptar”, tha Di Marcio.
Gjithsesi, gjatë ditës së djeshme kanë qarkulluar informacione të ndryshme në lidhje me talentin e sulmit kuqezi. Sipas disa portaleve të njohura online, vështirë që Cikalleshi të kalojë në skuadrën doriane, që mund të zgjedhë si opsion për sulmin Josip Iliçiçin. Gjithsesi, vetë klubi nuk ka reaguar deri më tani në lidhje me këtë pistë, çka bën që kjo mundësi të mbetet realisht e hapur.