e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Kontroll pasurive te 50 krere te larte te shtetit

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Kontroll pasurive te 50 krere te larte te shtetit
50 zyrtarët më të lartë në vend do t’i nënshtrohen kontrollit të plotë të pasurisë së tyre, mes tyre Presidenti Bamir Topi, Kryeministri Sali Berisha dhe zëvendëskryeministri Ilir Meta. Lajmin e bëri të ditur Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, i cili ka firmosur ndërkaq urdhrin për nisjen e kontrollit të plotë për 50 subjekte, në zbatim të ligjit “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”.

Përveç njoftimit për nisjen zyrtare të hetimit, ILDKP thekson se përgjatë këtij procesi kërkohet edhe ndihma e qytetarëve, të cilët mund të kenë të dhëna për abuzim financiar nga ana e drejtuesve më të lartë të vendit. Në këmbim të këtij informacioni, ILDKP premton edhe ruajtjen e anonimatit të personit i cili denoncon, përmes një numri telefoni pa pagesë ose një adrese e-mail-i të vendosur në dispozicion. “Në këtë fazë të rëndësishme të procesit të kontrollit, ILDKP, në funksion të një hetimi më të plotë administrativ për interesat private të zyrtarëve, kërkon bashkëpunimin e medias, shoqërisë civile dhe opinionit publik, të ofrojë të dhëna mbi pasuritë e zyrtarëve, për të cilat ka dyshime se janë krijuar në mënyrë të paligjshme”, theksohet në njoftimin e ardhur nga ILDKP.

Po kështu, në mënyrë të detajuar Inspektorati liston edhe emrat e drejtuesve të lartë, të cilët do të kalojnë në kontroll të plotë për pasuritë e fituara. Në këtë listë mungon emri i kreut të PS-së, Edi Rama, për shkak se atij i ka rënë shorti për kontroll të plotë të pasurisë së tij muaj më parë dhe tashmë priten edhe rezultatet e hetimit. Nga ana tjetër, në listë mungon edhe emri i ish-ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti, ndaj të cilit ka një muaj që ka nisur hetimi. Po kështu, në listën e ministrave nuk figuron as ai i ministres së Integrimit, Majlinda Bregu, ndaj të cilës po kështu prej javësh ka nisur hetimi i plotë i pasurive të saj.

Sipas ligjeve në fuqi një herë në dy vjet bëhet kontrolli i plotë i pasurive të të gjithë zyrtarëve të lartë në vend. Kështu përveç drejtuesve të lartë politikë, në kontroll do të kalojnë edhe krerët e lartë të gjyqësorit në Shqipëri dhe zyrtarë të tjerë të lartë. Për të bërë hetimin Inspektorati i Lartë ka të drejtë të shfrytëzojë të dhënat e nevojshme në të gjithë aparatin shtetëror e publik dhe në personat juridikë publikë e privatë. Me kërkesë të Inspektorit të Përgjithshëm bankat e nivelit të dytë dhe subjektet e tjera, që ushtrojnë veprimtari bankare dhe financiare në Republikën e Shqipërisë, detyrohen të japin të dhëna për depozitat, llogaritë dhe transaksionet e kryera nga personat që, sipas këtij ligji, kanë detyrimin për deklarim.