e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Gjobe 1 milion euro Dritan Priftit

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Gjobe 1 milion euro Dritan Priftit
“Duam një milion euro. Nëse nuk paguan, do të të vrasim familjen”. Kjo është përmbajtja e një email-i kërcënues që ka mbërritur në postën elektronike të ministrit në ikje të Ekonomisë, Dritan Prifti. Persona të paidentifikuar i kanë dërguar deputetit të LSI-së dy email-e kërcënuese dhe shantazhuese, duke i kërkuar edhe shumën e majme. Kallëzimi është regjistruar dy javë më parë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë, e cila ka filluar një hetim të plotë të këtyre fakteve. Grupi hetimor drejtohet nga prokurori Besnik Muçi, i cili ka urdhëruar policinë gjyqësore të kryejë një sërë procedurash. Fillimisht janë marrë deklarimet e deputetit të Qarkut të Fierit, i cili i ka servirur organit të prokurorisë edhe provat materiale, madje i ka printuar email-et duke ia servirur akuzës.

Email-et

Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda thanë se prej dy javësh kanë regjistruar kallëzimin penal të deputetit Dritan Prifti nën akuzën e gjobëvënies. Një adresë anonime i ka dërguar dy letra (email) në adresën private, duke i kërkuar që të paguante një milion euro, ose në të kundërt do i vrisnin familjen. Burime nga prokuroria thanë për gazetën se në email-e deputetit Prifti i përmendeshin edhe lëvizjet e tij, itinerari nga Fieri në Tiranë, vendbanimi i tij, si dhe disa orare të tjera që e kanë shqetësuar së tepërmi Priftin. Akuza pohon se përmbajtja e dy email-eve vazhdonte me përmendjen e lëvizjes së familjarëve të tij, ku banonin dhe cilin vend frekuentonin së fundmi. Mesazhi është printuar dhe i është servirur organit të prokurorisë nga vetë deputeti. Hetuesit kanë këqyrur kompjuterin e ministrit në ikje të Ekonomisë, duke marrë edhe “gjurmët” që mund të kenë lënë email-et. Në ndihmë të akuzës janë vënë edhe disa specialistë të elektronikës, të cilët kanë marrë të gjitha të dhënat nga serveri që i përcjell internet kompjuterit të ministrit. Nga të dhënat e para rezulton se email-et kanë qenë anonime dhe hetuesit janë munduar të identifikojnë vendin nga ku është nisur ky mesazh kërcënues. Paraprakisht ka dyshime se këto email-e janë nisur nga një kompjuter jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe tashmë duhet një hetim i gjatë dhe i gjerë për identifikimin e personit. Megjithatë, organi i prokurorisë ka disa të dyshuar, duke i vënë në vëzhgim dhe përgjim.

Sms-të

Ministri në ikje i Ekonomisë, Dritan Prifti, ka depozituar tri ditë më parë në Prokurorinë e Tiranës një kallëzim. Ai pretendon se në celularin e tij kanë ardhur disa SMS kërcënuese me jetë, ndërsa i ka kërkuar “ndihmë” organit të prokurorisë. Kjo e fundit konfirmoi se ka regjistruar ditën e martë një kallëzim të deputetit Dritan Prifti, i cili nuk përmend emra, por thjesht një fabul. Burime nga akuza kryeqytetase thanë se materiali i referuar nga Prifti i është servirur drejtuesit të prokurorisë, Sokol Malaj. Sipas procedurave, brenda një harku kohor të 10 ditëve, titullari i akuzës duhet të vendosë nëse materiali ka vepër penale ose jo. Nëse ka, dosja i kalohet prokurorisë së linjës, nëse jo, ajo pushohet. Megjithatë, referuar kallëzimit të Priftit, akuza sqaron se materiali nuk përmend emra personash të dyshuar si autorë të këtyre SMS-ve kërcënuese. Ditët e fundit, vetë Prifti ka deklaruar se një kërcënim i tillë mund t’i ketë ardhur për çështje politike.