Konte nuk vjen te Milani, Donaruma nuk shitet për 15 vjet
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Portieri i Milanit është i pashitshëm ndaj një klubi tjetër. Këtë e ka konfirmuar presidenti Silvio Berluskoni në një intervistë për mediat italiane "Radio Radio". Xhanluixhi Donaruma së fundmi u bë objekt kërkesash nga disa prej klubeve më të mëdha europiane, por 'Kavalieri' ndërhyri duke shuar zërat për një shitje të mundshme të tij.
"T'i japim një përgjigje dëgjuesve: Donaruma nuk shitet, do të jetë portieri i Milanit në 15 vitet e ardhshme",-ka thënë Berluskoni.
Duke folur për Mihajloviçin, ai ka shtuar se fati i tij do të vendoset në fund të sezonit. I pyetur për një kalim të mundshëm të Antonio Kontes te Milani, Berluskoni ka thënë se nuk është kandidatura e përshtatshme për të.
"Konte dhe Di Françesko? Nuk besoj se këta janë emrat e duhur për ne. Konte është një trajner i mirë, por tani nuk mund të them një fjalë përfundimtare pasi jemi në mes të një situate vendimmarrëse",-është shprehur ai.
Aktualisht, Konte flitet të kalojë te skuadra e Çelsit në Premier Ligë, pas përfundimit të kampionatit evropian në korrik të këtij fiti. Por disa shkrime të publikuara në mediat italiane, kanë hedhur hije dyshimi për kalimin e tij nga Kombëtarja në Serinë A.
