Komiteti i Arbitrave paralajmeron Ronaldon
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
I ftuar në një emision televiziv, presidenti i Komitetit të Arbitrave në Spanjë, Victoriano Sánchez Arminio nuk e përjashtoi mundësinë e penalizimeve ndaj Cristiano Ronaldos për pakënaqësitë plot nervozizëm që shfaqi hapur në fushë ndaj gjyqtarit Undiano Mallenco në klasiken mes Barcelonës dhe Realit të Madridit. Sánchez Arminio bëri thirrje për respekt në punën e arbitrave, por ndërkohë pranoi se edhe Undiano mund të sanksionohet për performancën e tij pas vlerësimit që do të bëjë Komiteti i Arbitrave.
Në El Clasicon e parë të sezonit që u luajt të shtunën në Camp Nou, Cristiano Ronaldo nuk rreshti së protestuari ndaj gjyqtarit në takimin që në fund u mbyll në 2-1 për blaugranat. Sulmuesi portugez i Realit u rrëzua para portës së Barcelonës pas një ndërhyrjeje të Javier Mascheranos, por Undiano nuk e pa të arsyeshme akordimin e një 11-metërshi në favor të Los Blancos, që ndoshta mund të kishte ndryshuar rrjedhën e lojës, pasi rezultati në atë moment ishte 1-0 për klubin katalanas. Ronaldo ngriti disa herë zërin ndaj Undianos, gjest i cili i kushtoi ndëshkimin me karton të verdhë.