'Kombetarja e dyte e Kosoves, Shqiperia'
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Deputeti Berat Buzhala i Partisë Demokratike në Kosovë ka bërë një deklaratë sa të çuditshme aq dhe provokuese kundrejt Kombëtares së Shqipërisë. Gjatë kohës që Shqipëria po luante në miqësoren kundër Maltës, në adresën e tij zyrtare në “Facebook” Buzhala ka shkruar:
“Kombëtarja e dytë e Kosovës po luan në Durrës, e kamufluar nën petkun e Kombëtares së Shqipërisë. Migjen Basha e dha gol, e Valdet Rama gati e dha një tjetër. Megjithatë kjo ndeshje në mes Shqipërisë dhe Maltës po duket një ndeshje normale. Nuk ka lloc së paku”.
Buzhala, raporton “Panorama Sport”që shquhet shpesh për qëndrimet e tij kontroverse dhe shpesh shumë të ashpra, ka vazhduar duke shkruar: “Jam i bindur që Kombëtaren e Republikës së Shqipërisë me këtë përfaqësuese e rrahim edhe brenda edhe jashtë…”.
Këto deklarata të Buzhalës kanë shkaktuar zemërim te një pjesë e madhe e tifozëve, të cilët e kanë kritikuar atë për qëndrimin që sipas tyre është përçarës dhe nuk u shërben aspak shqiptarëve, kudo që ata jetojnë dhe punojnë. Kjo është hera e parë që një zyrtar i lartë kosovar e quan Shqipërinë “Kombëtaren e dytë të Kosovës” dhe përdor tone të tilla kundrejt përfaqësueses kuqezi.