e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Kombetarja, Dallku 'kercenon' me largim

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Kombetarja, Dallku 'kercenon' me largim
Vjen polemika e parë për zgjedhjet e trajnerit Xhani de Biazi në kombëtare. Bëhet fjalë për Armend Dallku, mbrojtësin e Vorskla Poltavës, i cili nuk e përtyp dot qëndrimin në stol dhe kërcënon me largimin e tij, nëse në të ardhmen e afërt nuk do të mund të gjejë më shumë hapësirë në formacionin e parë. Dallku ka debutuar në përfaqësuese në vitin 2005 në ndeshjen kundër Ukrainës dhe deri tani numëron 60 ndeshje të zhvilluara dhe një gol të shënuar.

Pas 8 vitesh të suksesshme si kuqezi, ku ka qenë një titullar i padiskutueshëm, në ndeshjet e fundit nën drejtimin e trajnerit italian, Dallku ka provuar shijen e hidhur të stolit. Reagimi i tij nuk ka vonuar shumë dhe ka ardhur më shumë si në formën e një kërcënimi. “Vendi i titullarit te kombëtarja nuk është i sigurt për asnjë futbollist, deklaroi vetë Dallku për gazetën ‘Express’. Në Kombëtare luajnë ata që janë të gatshëm dhe zgjedhjen e bën trajneri.

Unë gjithmonë e kam dhënë kontributin dhe jam munduar në maksimum të jap gjithçka. Mirëpo, vjen një kohë, vjen një moment, kur njeriu pak a shumë dëshpërohet, vijnë edhe problemet e tjera dhe nuk mund ta japësh maksimumin. Shpresoj që të vazhdoj ta jap kontributin tim, por nëse nuk luaj, shumë shpejt mund të tërhiqem nga Kombëtarja. Nëse nuk luan, nuk ia vlen të udhëtosh nga Ukraina për 10 minuta lojë ose fare”, nënvizoi ish-mbrojtësi i Kosovës së Vushtrrisë, Prishtinës dhe Elbasanit në prononcimin e tij. Më pas 29-vjeçari nga Kosova ka sqaruar se për këtë do të duhet të presë e të shohë se si do të rrjedhin ngjarjet në ndeshjet e ardhshme të përfaqësueses për të marrë më pas vendimin e duhur. “Do të pres edhe pak e më pas do të vendos, shprehet Dallku. Nëse nuk luaj me kombëtaren, ndoshta do të ishte më mirë të përqendrohem vetëm tek ekipi im. T’ia lëmë kohës”.

Ishte pikërisht ky kontestimi i parë që vjen nga brenda grupit të futbollistëve, për përzgjedhjet e formacionit titullar nga ana e trajnerit Xhani de Biazi. Dallku gjithashtu ka sqaruar edhe të ardhmen e tij për sa i përket klubit ku militon, meqë jemi në prag të merkatos së dimrit. Kontrata e tij skadon pas një viti. Ai ka theksuar se nuk e shikon veten larg Vorskla Poltavës, madje nuk e përjashton edhe të vazhdojë jetën në Ukrainë, pasi të ketë mbyllur karrierën si futbollist. “Tetë vjet nuk janë pak, jam i lidhur ngushtë me Vorsklan. Kemi filluar bisedimet me klubin për një kontratë të re 2-3-vjeçare, varet sa do të më përshtatet. Besoj se në pranverë do të zbardhet gjithçka. Kam oferta të tjera, por nuk ia vlen për asnjë çmim ta ndërroj Vorsklan, pasi e kam gjetur veten këtu dhe jemi rehat me familjen. Mendoj se do të luaj këtu deri në fund të karrierës”, përfundoi Armend Dallku.