e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Kombetare gafash ne mbrojtje, 'vetevrasje' ndaj Zvicres

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Kombetare gafash ne mbrojtje, 'vetevrasje' ndaj Zvicres
Mund ta konsiderojmë pa hezitim kombëtare gafash, skuadrën tonë kuqezi në ndeshjen ndaj Zvicrës. Nëse shenjat në këtë drejtim i dhamë dukshëm që ndaj Qipros, por rikuperuam për fat të mirë gabimet e bëra, nuk të fal Zvicra. Së cilës ia kemi dhuruar me |këmbët” tona fitoren. Qoftë në rastin e golit të parë, në minutën e 23-të, kur Cana dhe Mavraj nuk u morën vesh mes tyre në largimin e një topi pa pretendime në zonën tonë, duke ia dhuruar në formë asisti Shaqirit, që shënoi për helvetët, ashtu edhe në pjesën e dytë, kur Dallku tregohet krejt amator, duke shkaktuar një ndërhyrje të gabuar në zonën tonë ndaj kundërshtarit, kur topi dhe aksioni ishte në dalje nga zona e Ujkanit e pa asnjë rrezik.

Mjaftuan këto dy momente, gafa të mbrojtjes sonë, që helvetët të marrin fitoren dhe tri pikët, duke mbajtur kreun e Grupit E pas dy ndeshjesh, me pikë të plota, ndërkohë që “shfryhen” kuqezinjtë tanë, të “pompuar” aq shumë këto ditë, të mbështetur nga një tifozëri e paparë ndokund në transfertë, më shumë se ajo vendëse. Pikërisht, tifozëria kuqezi, që e fitoi “ndeshjen” e saj në stadiumin e Luzernës, nuk e meritonte një zhgënjim të tillë, një “vetëvrasje” të kombëtares sonë.

Sa u takon ndeshjeve të tjera në grupin tonë, Qiproja mundi minimalisht në fushën e vet Islandën, duke marrë tri pikët e para në këto eliminatore, ndërsa Norvegjia triumfoi 2-1 ndaj Sllovenisë, në shtëpi. Pas xhiros së dytë të kësaj fushate kualifikuesesh, Zvicra është në krye të grupit me 6 pikë të plota, ndërsa nga 3 pikë ka Norvegjia, Shqipëria dhe Qipro. Zero është kolona e pikëve për sllovenët, ndërkohë që ndeshjet e radhës do të luhen muajin e ardhshëm. Kuqezinjtë tanë do të presin në “Qemal Stafa” Islandën dhe Slloveninë, përkatësisht më 12 dhe 16 tetor.