Koler: Shqipëria e guximshme, se prisnim që do të na sulmonte
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Trajneri i Austrisë, Marsel Koler, është i lumtur vetëm për fitoren e arritur nga skuadra e tij përballë Shqipërisë.
Pas përfundimit të ndeshjes, tekniku 55-vjeçar vlerësoi maksimalisht kuqezinjtë e De Biazit për shpirtin e garës dhe tha se në pjesën e dytë ishin shumë të guximshëm.
Numri një i Austrisë pranoi se skuadra e tij nuk bëri lojë të mirë në pjesën e parë, pavarësisht dy golave të shënuar. "Në pjesën e parë arritëm të shënonim dy gola shumë të shpejtë dhe menduam se ndeshja do të ishte kaq e lehtë. Në fakt nuk rezultoi kështu, sepse pjesa e dytë na vuri përballë një Shqipëri shumë të fortë.
Megjithatë dua të them se edhe në pjesën e parë nuk bëmë ndeshje shumë të mirë, pavarësisht dy golave që shënuam", tha Koler. Trajneri me origjinë zvicerane theksoi se Shqipëria u tregua shumë e guximshme, duke reaguar edhe pas 2 golave të pësuar.
"Në fakt nuk e prisnim që Shqipëria të na befasonte dhe të na sulmonte. U tregua ekip shumë i guximshëm dhe goli i parë që shënuan u dha shumë besim.
Kjo ndeshje është një mësim i mirë për ne, që duhet t'i luajmë ndeshjet me të njëjtin intensitet si në fillim, ashtu edhe në fund.
Shqipëria tregoi se pavarësisht dy golave të pësuar, ndeshja nuk ka përfunduar dhe luftuan deri në fund. Diçka të tillë duhej ta kishim bërë edhe ne", vazhdoi më tej Koler.
Në fundin e deklaratës së tij, trajneri i Austrisë tha se skuadra pati raste për të mbyllur ndeshjen, por nuk u tregua e saktë përballë portës kundërshtare.
"Patëm shumë raste për të shënuar, por nuk ia dolëm. Duhet të tregohemi më të saktë kur kemi rastet për të mbyllur ndeshjen. Tani është koha për të punuar dhe të tregojmë vlerat tona në Europian. Kemi edhe një tjetër ndeshje të rëndësishme pas disa ditësh me Turqinë dhe duhet të bëjmë paraqitje pozitive", përfundoi ai.