Koincidenca e frikshme, kur Shqipëria pësonte dy gola në start
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Miqësorja e djeshme ndaj Austrisë përveçse na zbriti me "këmbë në tokë" pas suksesit të vitit të kaluar, riktheu edhe një herë makthin e minutave të para. Kombëtarja shqiptare na kishte bërë ta harronim se çfarë është të pësosh që në fillim. Por sfida e djeshme ishte më shumë se e befasishme.
Brenda 13 minutash Austria shënoi dy gola që erdhën si rezultat i gabimeve fatale të mbrojtësve kuqezinj. Një repart që u ça menjëherë në rastin e golit të parë dhe një gafë e Mavrajt te goli i dytë u dhanë goditjen e shpejtë kuqezinjve.
Statistikat Dhe për të gjetur një ndeshje tjetër kur Shqipëria të ketë pësuar dy gola brenda 12 minutave të para, duhet të zhvendosemi 11 vite më parë. Madje, koincidenca është e frikshme, pasi ka ndodhur pikërisht në të njëjtën ditë, më 26 mars 2005.
Një ndeshje eliminatore për Kampionatin Botëror ndaj Turqisë në transfertë. Kuqezinjtë u mundën 2-0 në atë sfidë me të dy golat të pësuar brenda 5 minutave të para. Atesh me penallti në të 3-ën dhe Bashturk në të 5-ën ndëshkuan kuqezinjtë.
U deshën ekzaktësisht 11 vite dhe 96 ndeshje (eliminatore dhe miqësore) që Shqipëria të pë- sonte sërish dy gola të shpejtë. Në një kohë që kuqezinjtë nuk njihnin humbje me dy gola të pë- suar prej katër takimesh, që kur u mundën në Elbasan nga Serbia, në tetor të vitit të kaluar.
Gjatë edicionit të fundit të eliminatoreve, Shqipëria ka pasur një mbrojtje të hekurt ku pësoi vetëm pesë gola në tetë takimet eliminatore, pa llogaritur ndeshjet me Francën që kishin vlerë vetëm statistikore. Për dy golat e shpejtë të pësuar në miqësoren e djeshme është treguar i ashpër në deklaratën e tij edhe trajneri i përfaqësueses, De Biazi.