e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Klose drejt thyerjes se rekordit, shpeton Gjermanine nga humbja

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Klose drejt thyerjes se rekordit, shpeton Gjermanine nga humbja

Veterani gjerman është tashmë vetëm një gol larg thyerjes së rekordit si golashënuesi më i mirë i Kupës së Botës. Miroslav Klose shënoi golin e tij të 15 në Kupën e Botës për të shpëtuar një humbje të rëndë të Gjermanisë kundër Ganës në Fortaleza. Sulmuesi veteran e nisi lojën si zëvendësues në minutën e 70, të shtunën në mbrëmje dhe impakti i tij ishte i menjëhershëm duke barazuar shfirat 2-2 për skuadrën e tij dhe duke barazuar gjithashtu edhe rekordin e golave të legjendës braziliane Ronaldo.

Në pjesën e parë të dyja skuadrat zhvilluan një lojë të mërzitshme dhe vetë rezultati 0-0 i 45 minutëshit të parë e vërteton këtë. Ndeshja do të zhbllokohej vetëm në minutën e 51 të pjesës së dytë, kur Gotze shënoi golin e parë për Gjermaninë. Por afrikanët e Ganës u përgjigjën menjëherë dhe vetëm tre minuta më vonë barazuan shifrat në 1-1 me Andre Ayew.

Të dyja skuadrat nuk ishin të kënaqura me barazimin dhe kërkonin të shënonin golin e fitores, të cilës iu afruan të parët ganezët me Gyan kur shënuan golin e dytë dhe të avantazhit në minutën e 63. Por Joachim Low nuk mund të pranonte në asnjë mënyrë një humbje poshtëruese ndaj Ganës, duke kryer zëvendësimet të cilat do të rezultonin të suksesshme. Vetëm një minutë pasi kishte hyrë në fushën e lojës Klose realizoi golin e barazimit për skuadrën europiane.

Në minutat e mbetura tentativat e gjermanëve për të shënuar golin që do ti jepte fitoren nuk rezultuan të suksesshme.