e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Klop: Dramatike, por do kthehem serish ne finale

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Klop: Dramatike, por do kthehem serish ne finale
Jurgen Klop e tregoi veten që është një trajner i madh. Ndryshe nga homologu i tij Jup Hejnkes, Klop ka përjetuar leksionet dhe ethet e para të një finaleje Champions-i duke vibruar dhe njëkohësisht duke i shijuar deri në fund ato, edhe pse doli humbës. “Urime Bajernit, Jup Hejnkesit! E kush nuk mund ta urojë këtë njeri. Në shumë momente ishim prezent në fushë. Ishte një duel i balancuar në shumë pikëpamje, por në fund Bajerni ishte më i kthjellët dhe më kërkues. Pas një sezoni të gjatë, ne bëmë të pamundurën të jepnim dhe pasqyronim kualitetin tonë. Nëse do kishim humbur 4-0 apo 5-0, atëherë do kishte qenë shumë herë më keq. Arjeni ishte vërtet shumë i fortë, shumë kërkues. E kërkoi me ngulm këtë fitore dhe ia arriti.

Çdokush duhet ta pranojë. Nuk ka asnjë lloj problemi. Ne do vazhdojmë të luftojmë dhe do kthehemi sërish në kundërshtarin më të fortë për Bajernin. Të gjithë ishin dëshmitarë që ne kemi qenë finalistë të merituar dhe që kemi ditur të ndëshkojmë këdo. Nëse nuk fituam sivjet, do ta provojmë sërish”, – u shpreh trajneri Klop, i cili tha diçka edhe për muzikën e tij të preferuar: “Na takon të festojmë. Helena Fisher do të vijë patjetër. Do më pëlqente shumë të dëgjoja disa balada. Gjermania është në festë. Kjo është ditë e shënuar për ne”. Në fund të intervistës, trajneri Klop zbulon edhe mendimin që i dha kancelarja Angela Merkel: “Kancelarja më tha se ka momente edhe më të vështira dhe më të këqija se kaq, në të cilat njeriu duhet të mësohet”.