e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Kek terhiqet nga gara per Shqiperine

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Kek terhiqet nga gara per Shqiperine
Matjazh Kek tërheq kandidaturën e tij për drejtimin e pankinës së Kombëtares së Shqipërisë. Gjithçka e ka bërë publike vetë tekniku slloven, në një intervistë të dhënë dje për “Radio Slovenija”. Në këtë intervistë, duke sqaruar gjerë e gjatë arsyet e largimit të tij nga pankina e Kombëtares së Sllovenisë dhe polemikat që kanë pasuar më vonë, ai është pyetur edhe në lidhje me të ardhmen, pasi së fundmi është folur shumë se ai është në garë për të zënë vendin e lënë bosh nga Josip Kuzhe në krye të Kombëtares së Shqipërisë. Ish-tekniku i Sllovenisë, i cili ka një karrierë të pasur si trajner në kampionatin vendas, si drejtues i klubit të njohur Maribor (dy herë), por edhe të Spitall/Drau dhe GAK, nuk e ka mohuar për asnjë moment faktin se ka shfaqur interes për stolin e kuqezinjve. Por ashtu edhe drejtuesit e lartë të Federatës Shqiptare të Futbollit e kanë konsideruar atë si një nga kandidaturat e mundshme.

Madje, sikurse kanë bërë të ditur pikërisht mediat sllovene, mes palëve ka pasur edhe kontakte të tërthorta në lidhje me afrimin e Matjazh Kek në krye të përfaqësueses sonë. I pari ishte ish-futbollisti shqiptar Kliton Bozgo, i cili ka zbuluar se kontaktet mes palëve kanë ekzistuar, dhe si ndërmjetës mes trajnerit slloven dhe FSHF-së ka qenë menaxheri shqiptar i FIFA-s, Ilir Sillo. Bozgo madje ka thënë se, “nëse Shqipëria do të vendosë për të marrë një trajner të huaj në krye të Kombëtares, ai do të jetë pikërisht Kek”. Pak më pas në mediat sllovene u shfaq vetë ndërmjetësi i ish-drejtuesit të pankinës sllovene, Ilir Sillo, i cili ka dhënë edhe detaje në lidhje me kontaktet që ka pasur me FSHF-në.

“Kemi pasur një takim me zëvendëspresidentin e Federatës Shqiptare (pa e specifikuar emrin), i cili ishte i gatshëm të firmoste me Kek. Por vendimin e merr presidenti Armand Duka, me të cilin do të kemi një takim në ditët e ardhshme”, ishte shprehur Sillo. Kur dukej se Kek do të ishte një kandidat serioz për pankinën kuqezi, vetë ish-tekniku i Sllovenisë, duke sqaruar planet për të ardhmen, ka deklaruar tërheqjen nga gara. “Është e vështirë të thuhet se nuk ndihem i lodhur nga puna intensive, ndaj mendoj se kam nevojë për një pushim të vogël, u shpreh Kek për ‘Radio Slovenija’. Për sa i përket Shqipërisë: ka pasur disa kontakte, por asgjë zyrtare.

Askush nuk më ka takuar zyrtarisht mua. Pas kontaktit të parë, unë fillova të mendoj pak më intensivisht. Gjithsesi shumë shpejt arrita të kuptoj se nuk mund ta imagjinoj veten që të drejtoj ekipin Kombëtar shqiptar në Maribor kundër Sllovenisë në eliminatoret e Botërorit 2014. Nga një anë unë jam profesionist, dhe një gjë e tillë mund të ndodhë në të ardhmen, por jo tani, pasi gjithçka po ndodh shumë shpejt… Nuk di çfarë të them, unë nuk mund ta imagjinoj, nuk e di se si do të shkojnë gjërat. Megjithatë, kjo është pjesë e jetës sime. Nëse dua të jem i sinqert, vërtet nuk mundem t’i përgjigjem kësaj pyetje”, ka përfunduar Kek, i cili, gjithsesi, me fjalinë e fundit duket se lë ende një derë të hapur.