Kastrioti kërcënon Korabin
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Krutanët kanë zbritur dje në kompleksin "Olimpik" në Yrshek ku nën drejtimin e trajnerit Elvis Plori kanë zhvilluar analizën e postndeshjes me Ilirinë.
Në kampin krutan mbizotëron optimizmi se këtë javë Kastrioti do rimarrë kreun e klasifikimit në përballjen që do të ketë në fushën e vet ndaj Korabit. Mbrojtësi i afruar në skuadër gjatë merkatos së janarit, Elton Doku, që ka një eksperiencë të madhe në Superiore, shprehet:
"Këtë javë përballemi me Korabin që për fatin tonë të keq ka përfituar nga heqja e tri pikëve ndaj nesh nga UEFA. Megjithatë, pas ndeshjes së të shtunës, ne do të jemi të parët. Luajmë në fushën tonë dhe do kemi mbështetjen e tifozëve.
Jam më se i bindur dhe i sigurt që do ta fitojmë këtë takim dhe do jemi sërish në krye aty ku na takon. E them këtë se jemi realisht ekipi më i mirë i Kategorisë së Parë, pasi kemi në përbërje lojtarë tepër kualitativë.
Gjithashtu, unë kam pasur shumë trajnerë në Superiore me të cilët kam kryer stërvitje, por e them pa frikë që Plori është një ndër teknikët më të mirë që kam punuar. Me në krye Plorin dhe këta "gladiatorë" që ka në përbërje skuadra e Kastriotit, ne nuk e diskutojmë Superioren", përfundon Doku.
Përgatiti: Liridon Pasha