Kapitenit i heqin banderolën, Plaku e sheh sfidën nga tribuna
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
* Banderola e përhershme në tribunën e ultrasve të Skënderbeut, dedikuar kapitenit Bledi Shkëmbi, dje si për ironi ka munguar.
Fotoja e madhe, e vendosur në një kornizë, ku shkruhet: "legjenda e ekipit, krenaria jonë", nuk ishte vendosur nga "Ujqërit e Dëborës".
Ndoshta ka qenë një rastësi që dje mund të jetë harruar, nisur edhe nga pozitat jo komode që po kalon kapiteni, i cili nuk po aktivizohet. Gjithsesi, tifozët kanë thirrur gjatë ndeshjes disa herë në kor emrin e kapitenit, duke konfirmuar mbështetjen e tyre ndaj legjendës së Skënderbeut.
* Në tribunën qendrore dje ka mbërritur pak minuta para ndeshjes edhe sulmuesi Sebino Plaku, i cili u pezullua pak ditë më parë nga klubi. Mësohet se lojtari i ka kërkuar falje presidentit Ardjan Takaj dhe pritet që të falet. Në pjesën e parë të ndeshjes, tifozët bardhekuq kanë dhënë mbështetjen e tyre për Plakun, duke brohoritur në kor.
* Afro 3 mijë tifozë ishin të pranishëm dje në ndeshjen Skënderbeu-Teuta 1-0. Kanë munguar tifozët nga Durrësi, ndërsa atmosfera ka qenë e mirë e bukur, ashtu sikundër ndodh gjithmonë në ndeshjet që luhen në KorçëNë tribunën qendrore, përveç presidentit të Skënderbeut, Ardjan Takaj, ka qenë zv.presidenti Arlind Boshku; drejtori sportiv, Haris Fakiç, dhe menaxheri i skuadrës, Marcelo Troisi.
* Duke qenë se ndeshja kundër Teutës gjithmonë ka sjellë probleme për Skënderbeun, bashkëshortja e presidentit, zonja Mira Takaj, ishte nisur enkas nga Durrësi për të ndjekur ndeshjen, me idenë se sa herë që ka qenë ajo në tribunë, Skënderbeu ka fituar. Dhe kështu ndodhi.
* Presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelliu, ka mbërritur pakminuta përpara startit të takimit. Në pushim ai nuk është futur në dhomën ku presidenti i Skënderbeut pret miqtë, por ka preferuar të qëndrojë në hollin e tribunës. Hasanbelliu doli i mërzitur nga stadiumi.
* Kur gjyqtari Kridens Meta ka sinjalizuar përfundimin e takimit, trajneri Mirel Josa nuk e ka shprehur kënaqësinë për fitoren e vuajtur, mirëpo e kundërta ka ndodhur në tribunën VIP, kur Takaj & CO kanë festuar. Ankthi i minutave të fundit ka qenë vërtet i madh.
* Trajneri Gugash Magani, në çdo moment të ndeshjes kishte këshilla për lojtarët. Fillimisht e kapi me Ditën dhe, më pas, me Kotobellin. Shpesh nuk ngurronte të hynte edhe në fushë, ndërsa u duartrokitet nga tifozët. Pyetjes së gazetarëve sesi arriti që ta bllokonte në njëfarë mënyre Skënderbeun, "Gashi" iu përgjigjet me humor. "Më ftoni për kafe dhe jua them unë".