e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Kapiteni i Shkëndijës: Kopjoj spanjollin Ramos

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Kapiteni i Shkëndijës: Kopjoj spanjollin Ramos

Në një nga talentet që po shkëlqen këto kohët e fundit tek ekipi i mjeshtërisë së Tiranës, "Loro Boriçi", është edhe futbollisti sarandjot, Mario Kaçupaj, që luan në rolin e mbrojtësit. Ai është kapiten i Shkëndijës U-19. mario kacupaj talentiKaçupaj ka lindur në vitin e vështirë që po kalonte Shqipëria, pikërisht më 14 prill 1997, në qytetin bregdetar të Sarandës.

"Që fëmijë, jo vetëm dëshira ime, por edhe e prindërve të mi, ka qenë futbolli. E kam nisur këtë profesion që në moshën 10-vjeçare dhe trajneri im i parë është Sadik Sadikaj. U aktivizova me ekipet e moshave U-13, U-15 dhe U-17 të klubit të Butrintit, me trajner Flamur Shehu, Adriatik Faslliu dhe Lorenc Risti. Pasi mbarova shkollën 9-vjeçare, dëshira e prindërve, duke parë aftësitë e mia dhe shkëlqimin tim, vendosëm që unë të mos shkëputesha nga futbolli.

E për këtë ata kishin këmbëngulur dhe vendosën që unë të shkoja pranë shkollës 'Loro Borici' në Tiranë. Pas kualifikimit në konkurrimet e kësaj shkolle, nisa të aktivizohesha që në vitin e parë pranë ekipit profesionist, ku trajner për gati 3 vjet kisha Kostika Sterjo dhe Luan Pinarin, derisa arrita tek U-19. Gjatë këtij sezoni unë u zgjodha edhe kapiten i skuadrës. Unë jam mbrojtës krahu dhe lojtari më i preferuar për mua në botë është Serxho Ramos. Ai ka një rol që unë e preferoj dhe mundohem të kopjoj shumë nga stili i tij", tregon 19-vjeçari.

E ardhmja

Ky është viti i fundit për brezin e datëlindjes 1997 në shkollën "Loro Boriçi". "Që tani kam filluar të bisedoj me menaxherë të ndryshëm për të nisur karrierën profesioniste. Dua një klub të huaj dhe për këtë po mundohen së tepërmi edhe prindërit. Gjithsesi, edhe nëse nuk realizohet ky plan, do të aktivizohem brenda Shqipërisë, ku natyrshëm synoj të afirmohem në një nga klubet e Superiores", ka thënë Mario Kaçupaj.

I pyetur se për cilën skuadër ka më shumë simpati, talenti sarandjot dha këtë përgjigje: "Jam tifoz i Juventusit që fëmijë, por këto vitet e fundit po më pëlqen dhe ekipi i Realit. Përveç këtyre, unë ndjek me vëmendje çdo ndeshje ndërkombëtare, duke parë më shumë lojën e mbrojtësve, që unë të 'vjedh' diçka nga mënyra e tyre".

Përgatiti: Abdulla Dushku