Esat Mala, 18-vjeçari që kërkon të bëhet Ronaldo
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Një nga lojtarët që në vitet e fundit po shkëlqen te shkolla e mjeshtërisë sportive "Loro Boriçi" është Esat Mala. Mesfushori i krahut, që shpesh është bërë protagonist në shënimin e golave, ka lindur në fshatin Mushtisht në komunën e Prizrenit më 18 tetor të vitit 1998.
Ai aktualisht vazhdon shkollën e mjeshtërisë në Tiranë dhe aktivizohet me Shkëndijën U-19. Në dy vitet e kaluara ka qenë kapiten te grupmosha U-17, duke spikatur me lojën e tij. Tashmë ai është gati për të bërë hapin e madh.
"Gjatë gjithë këtyre viteve në këtë shkollë trajner kam pasur Shpend Kumbarçen. Për gati dy vjet kam qenë kapiten i skuadrës U-17, ndërsa tani bëj pjesë tek U-19. Jam në vitin e fundit të shkollës dhe që tani kam nisur përpjekjet për të gjetur një ekip, ku do të nisë karrierën si profesionist. Dua të luaj jashtë Shqipërisë, por kjo mbetet për t'u parë.
I falënderoj të gjithë ata që kanë ndikuar dhe kanë përkrahur që unë arrita të formohesha si futbollist, në radhë të parë familjen time, si dhe të gjithë trajnerët që kam punuar", thotë fillimisht Mala në bisedën për "Panorama Sport".
Gjatë këtij kampionati, mesfushori me tipare sulmuese ka arritur të shënojë katër gola për ekipin U-19 të Shkëndijë së Tiranës.
Idhulli
I pyetur për lojtarin që e frymëzon, i riu nuk ngurron të thotë se kërkon të bëhet si Ronaldo. "Idhulli imi është Ronaldo. Mundohem të kopjoj shumë nga ky lojtar, por është mjaft vështirë. Puna dhe vullneti është çelësi i realizimit të çdo ëndrre, ndaj dhe unë dua të bëhem një Ronaldo", u shpreh mesfushori që pret të luajë për një skuadër të huaj.
Duke folur për preferencat që ka sa u përket klubeve, talenti i shkollës "Loro Boriçi" dha këtë përgjigje: "Skuadra ime e preferuar është Milani. Jo pse ka uniformat kuqezi, por te ky ekip, që në vogli më ka pëlqyer loja e bukur dhe mjaft lojtarë që kanë luajtur ndër vite". Nga Kombëtaret e moshave, mesfushori Mala është thirrur vetëm nga U-17, që drejtohet nga Xhemal Mustedanagiç.
Përgatiti: Abdulla Dushku