e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Kamza, fitore historike me Vllaznine

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Kamza, fitore historike me Vllaznine

Java e Dytë e Kategorisë Superiore ka nisur me rezultate mjaft surprizuese, por mbi të gjitha me një verdikt historik: Kamza ka marrë fitoren e parë në futbollin elitar. Debutuesit mposhtën me rezultatin 1-0 Vllazninë, ndërsa në takimin tjetër të zhvilluar të premten, Bylisi mori një pikë në fushën e Laçit, ndërsa mund të kishte pretenduar edhe më shumë.

Në stadiumin e Kamzës, të rikonstruktuar në kohë rekord për të mos humbur asnjë ndeshje në shtëpi në këtë sezon, skuadra e drejtuar nga trajneri Ernest Gjoka mori tri pikë në ndeshjen e parë që ka luajtur përballë tifozëve të saj në aktivitetin më të rëndësishëm në Shqipëri. Vendimtar në këtë sukses të kamzallinjve ishte goli i sulmuesit Eleandro Pema. Megjithatë, triumfi nuk ka qenë aspak i lehtë, edhe për vetë emrin dhe kualitetin që ka Vllaznia. Gjithsesi, shkodranët kanë zhgënjyer me paraqitjen e tyre, e cila ishte larg lojës së një ekipi pretendent në Superiore, ndërsa kundër kuqebluve ishin edhe episodet. Në minutën e 6-të, Sukaj nuk arriti të shfrytëzonte një kundërsulm të shpejtë, në të 8-ën Petroviç godet shtyllën nga një goditje këndi kur kishte portën e boshatisur dhe në të 13-ën Sukaj godet keq. Pas gjithë këtyre rasteve të shkëlqyera të pashfrytëzuara ka ardhur edhe ndëshkimi: menjëherë sapo ka nisur fraksioni i dytë i lojës, Kamza zhbllokoi rezultatin me Pemën. Sulmuesi shfrytëzoi një pritje të pasigurt të portierit Vujadinoviç dhe e dërgoi topin në rrjetë. Një tjetër episod kundër Vllaznisë ishte edhe penalltia e paakorduar nga gjyqtari Remzi Sadiku në të 58-ën: “bilbili” e ka cilësuar të rregullt ndërhyrjen e portierit Bytyçi ndaj Vajushit, duke nxitur kontestimet e ashpra të lojtarëve kuqeblu. Trajneri Mirel Josa ishte dukshëm i zhgënjyer në fund të ndeshjes, ndërsa nuk i fshehu as pakënaqësitë për arbitrimin. “Duhet të shikojmë nëse ndërhyrja ndaj Vajushit ishte apo jo penallti. Kjo do të konfirmohet nga pamjet filmike”, deklaroi drejtuesi i stolit shkodran. “Megjithatë, ky episod i dyshimtë nuk e justifikon humbjen. Kisha besim se skuadra do të paraqitej ndryshe dhe natyrisht që jam disi i zhgënjyer nga loja përballë Kamzës”.

Në takimin tjetër të ditës së djeshme, Bylisi ka marrë një pikë në fushën e Laçit. Sfida përfundoi në barazim 2-2, një rezultat për të cilin mallakastriotët mund të shprehen edhe të pakënaqur, pasi kanë qenë dy herë në avantazh. Miqtë hapën serinë e golave në të 20-ën me Amarildo Dimon, që realizoi golin e tretë në këtë sezon. Kurbinasit rikthyen baraspeshën në minutën e 75-të me Mate Dragiçeviç, por skuadra e drejtuar nga Nevil Dede ka shfaqur mjaft probleme në fazën mbrojtëse. Në fakt, Bylisi ka arritur të shënojë sërish në minutën e 81-të me Armand Gegën. Por, Laçi nuk është dorëzuar dhe vetëm 2 minuta më vonë ka barazuar rezultatin me golin e realizuar nga Dragan Trajkoviç, që nuk gaboi nga pika e 11-metrave. Java e dytë e Superiores do të vazhdojë sot me ndeshjet Kastrioti-Tirana, Shkumbini-Apolonia, Pogradeci-Tomori dhe Teuta-Flamurtari, ndërsa nesër luhet takimi Dinamo-Skënderbeu.